Duhet rikthim te laiciteti gjithëpërfshirës, që respekton peshën reale të komuniteteve fetare
Tradita politike shqiptare, që nga zanafilla e shtetit modern me Ismail Qemalin, ka dëshmuar një kujdes pothuajse kirurgjikal në respektimin e përfaqësimit të komuniteteve fetare në kabinetet qeveritare.
Ky “rregull i pashkruar”, ka shërbyer si një lloj kontrate sociale për të garantuar stabilitetin në një vend me diversitet besimesh, duke e transformuar laicitetin e shtetit jo në një mjet për mohimin apo përjashtimin e fesë, por në një kornizë që garanton një balancë të drejtë përfaqësimi.
Në këtë kuptim, laiciteti mbetet shtylla që mbron pavarësinë e institucioneve nga dogma. Por ai funksionon shëndetshëm vetëm kur shoqërohet me respektimin e ndjeshmërive historike dhe ekuilibrave fetarë që mbajnë gjallë harmoninë kombëtare.
Mirëpo, zhvillimet e fundit dhe të dhënat e Censit 2023, po ngrenë pikëpyetje legjitime mbi kriteret e reja të përzgjedhjes së ekzekutivit dhe devijimin nga kjo balancë delikate. Kur shohim që 2 nga 16 ministri drejtohen nga përfaqësues të komunitetit Ungjillor – që zyrtarisht përbën vetëm 0.4 për qind të popullsisë (9.658 persona) – vihet re një disproporcion i theksuar statistikor në raport me peshën demografike.
Ky pozicionim i fortë i këtij komuniteti nuk mund të shihet i shkëputur nga fakti se ungjillorët në Shqipëri kanë gëzuar historikisht, dhe vazhdojnë të kenë, një mbështetje të fuqishme politike dhe financiare nga lëvizjet ungjillore në SHBA, të cilat ushtrojnë një ndikim të konsiderueshëm në sferat e larta të vendimmarrjes globale.
Ky përqendrim i lartë pushteti në një grupim kaq të vogël numerik, i cili menaxhon tashmë dikastere kyçe si Ministria e Drejtësisë dhe tani edhe Ministrinë e Infrastrukturës, ngre hije dyshimi mbi krijimin e një elite të re që operon jashtë ekuilibrave tradicionalë.
Në një shtet laik, neutraliteti i institucioneve cënohet kur përkatësia dhe besnikëria ndaj një rrethi të caktuar, i cili shpesh shërben si urë lidhëse me lobingje të fuqishme jashtë vendit, dhe dominon mbi përfaqësimin proporcional dhe meritokracinë.
Rasti i zyrtarëve që mbajnë poste të shumta njëkohësisht, shoqëruar me akuza për konflikte interesi dhe goditje ndaj medias (rasti i News 24), dëshmon se injorimi i ndjeshmërive fetare të shumicës dhe prishja e këtyre ekuilibrave nuk është thjesht çështje numrash, por një rrezik për transparencën dhe stabilitetin e institucioneve.
Rikthimi te parimi i laicitetit gjithëpërfshirës, që respekton peshën reale të komuniteteve dhe shmang monopolizimin e shtetit nga grupe të ngushta interesash, mbetet e vetmja rrugë për të garantuar që asnjë besim apo lobing të mos ndihet i mbipërfaqësuar apo i përjashtuar në dëm të interesit publik. /tesheshi
