Protestat fshatare me zjarr e flakë në zemër të kontinentit
Fermerët dogjën goma përpara ndërtesës së Parlamentit Europian, duke protestuar kundër politikave të BE-së në Bruksel.
Grupi i parë i protestuesve mbërriti të mërkurën në mbrëmje dhe të enjten tensionet u përshkallëzuan në Sheshin e Luksemburgut, ku disa protestues hodhën shishe qelqi dhe patate, ndërsa të tjerë i vunë flakën druve dhe gomave nga rimorkiot e tyre pranë Parlamentit Europian. U përdorën edhe piroteknikë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Edhe pse fermerët kishin ndërmend të arrinin në ndërtesën e Këshillit Evropian, ku udhëheqësit e BE-së po mbajnë një samit, policia ngriti barrikada dhe nuk i lejoi ata të kalonin. Traktorët janë parkuar përgjatë rrugës që të çon në ndërtesën e Këshillit. Deri më tani, rreth 150 traktorë kanë mbërritur në Bruksel, ndërsa disa kolona janë ende në rrugë. Disa rrugë kryesore janë mbyllur përkohësisht për shkak të protestave dhe transporti publik është ndërprerë.
Përkatësisht, fermerë nga e gjithë Evropa u mblodhën në Bruksel për të protestuar kundër marrëveshjes së tregtisë së lirë midis Bashkimit Evropian dhe disa vendeve të Amerikës së Jugut, duke bllokuar rrugët në kryeqytet me traktorët e tyre. Federata Evropiane e Bujqësisë Copa-Cogeca pret që rreth dhjetë mijë demonstrues të marrin pjesë në protesta.
Fermerët kanë shprehur shqetësim se marrëveshja BE-Mercosur, e cila përfshin Argjentinën, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain, mund të krijojë konkurrencë të padrejtë dhe të dëmtojë bujqësinë evropiane.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha, me të mbërritur në samitin e liderëve, se BE nuk duhet të rrezikojë fermerët dhe prodhuesit e ushqimit duke nënshkruar një marrëveshje me vendet e Mercosur që ende nuk është finalizuar.
Franca dhe Italia kanë kërkuar që nënshkrimi të shtyhet derisa të përmbushen kushtet e nevojshme për të mbrojtur fermerët. Megjithatë, Gjermania dhe Spanja mbeten ndër mbështetësit më të fortë të marrëveshjes, duke argumentuar se ajo do të nxiste eksportet evropiane në një kohë të rritjes së dobët ekonomike dhe konkurrencës globale në rritje. Mbështetësit gjithashtu e shohin Mercosur si një mënyrë për të diversifikuar partneritetet tregtare përballë presionit në rritje të tarifave nga Shtetet e Bashkuara. /tesheshi
