Ballina Lajmet Kosovë Nga shtatori tekste falas do të marrin vetëm nxënësit prej klasës së...

Nga shtatori tekste falas do të marrin vetëm nxënësit prej klasës së parë deri në të pestën

Ministria e Arsimit nuk do t’i shpërndajë më tekstet falas nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, por vetëm nga klasa e parë deri në të pestën.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë, ky vendim është marrë pasi janë grumbulluar shumë tekste të cilat mund të shfrytëzohen edhe pas përdorimit. Gjithashtu, u tha se shpërndarja e teksteve falas i ka kushtuar shumë Qeverisë së Kosovës, deri në 7 milionë euro në vit.

Shpërndarja e teksteve falas nga klasa e parë deri në të nëntën ka kushtuar shumë, thonë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Për të kursyer buxhetin dhe për të shfrytëzuar librat e grumbulluar, të cilat mund të përdoren përsëri, është marrë vendimi që të mos shpërndahen falas librat nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu tha për Radio Kosovën se komisioni i formuar për këtë çështje ka konstatuar se tekstet nga klasa e gjashtë deri në të nëntën mund të shfrytëzohen edhe një vit nga gjenerata paraprake. Gjithashtu, kjo është një mundësi për të kursyer buxhetin e Kosovës, tha Kadriu.

“Arsyeja e parë është që shteti i Kosovës mund të kursejë ku ka mundësi të kursejë, sepse teksti mund të shfrytëzohet, arsyeja tjetër është që të krijojmë një kulturë të ruajtjeve të teksteve, një kulturë të punës. Diku rreth 4 milionë euro në vit kanë mundësi të ruhen ose të shfrytëzohen për ndonjë formë tjetër.”

Kadriu bëri të ditur se çdo vit janë shpenzuar rreth 7 milionë euro për shpërndarjen e librave falas, ndërsa këtë vit do të shpenzohen 3 milionë e 600 mijë euro për librat nga klasa e parë deri në të pestën. Ai shtoi se tashmë shtëpitë botuese e dinë paraprakisht se sa libra do të prodhojnë për këtë vit.

“Ne kemi thënë se nëse brenda një shkolle të një komune nuk ka tekste të mjaftueshme mund të shkojmë në një shkollë tjetër që ka. Në bazë të analizave që kemi bërë të numrit të nxënësve kemi parë se çdo gjeneratë ka më pak nxënës se gjenerata paraprake. Udhëzimi administrativ e përcakton saktë se kujdestari i klasës, prindi dhe nxënësi janë përgjegjës për t’i kthyer tekstet.”

Kadriu tha se librat mund të plotësohen edhe nga stoqet që janë krijuar në vitet paraprake, të cilat janë të shfrytëzueshme. Ai bëri të ditur se është planifikuar që për vitin 2018/2019, do të nxirren tekstet e reja për klasën e parë, të gjashtë dhe të dhjetë, kështu në mënyrë lineare të plotësohen me të reja duke shfrytëzuar të vjetrat me mundësi të pakta shpenzimi.

Exit mobile version