Ky artikull nuk ka të bëjë vetëm me Republikën e Shqipërisë, por gjithë hapësirës shqiptare-Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës-kudo ku shqiptarët janë element shtetformues dhe faktor vendimmarrës në zhvillimet politike dhe strategjike të rajonit.
Në një kohë kur kufijtë e ndikimit ndërkombëtar po rivendosen dhe bota po rrëshqet drejt një Lufte të Ftohtë të Dytë, kombi shqiptar gjendet sërish në udhëkryqin e historisë.
Tani më shumë se kurrë, pozicioni gjeostrategjik i shqiptarëve nuk duhet të përcaktohet nga të tjerët, por të ndërtohet nga vetë ne-me vetëdije, me vizion dhe me unitet kombëtar, në përputhje me interesin tonë të përbashkët historik dhe ekzistencial.
Në këtë debat të madh gjeopolitik, bie në sy një kontrast i dukshëm: verbalizmi politik dhe propaganda institucionale në Tiranë e Prishtinë shpesh shpallin besnikëri ndaj partnerëve strategjikë — por reformat konkrete, vendimmarrjet ekonomike dhe prioritetet ligjore shpesh bien ndesh me këtë diskurs publik.
Në shumë raste, retorika e “partneritetit strategjik” përdoret si dekor, ndërsa në praktikë veprimet prodhojnë efektin e kundërt: dobësim të lidhjeve reale dhe konfuzion në orientimin afatgjatë.
Kjo mospërputhje midis fjalës dhe veprës ka bërë që Shqipëria dhe Kosova kundrejt aleatëve strategjikë të perceptohen si aleate vetëm me fjalë, dhe shpesh si akte të paqarta në fushën e veprimit strategjik.
Në këtë kontekst, analiza e tri sferave — ajo e influencës, e sigurisë dhe e interesit — bëhet thelbësore për të kuptuar jo vetëm ku ndodhemi, por edhe ku duhet të jemi në raport me aleatët tanë ekzistencialë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italisë dhe Turqisë.
Sfera e influencës: nën hijen e Perëndimit, por me dritëhije Lindore
Në botën realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare, sfera e influencës përkufizohet si hapësira që një fuqi e madhe kërkon ta mbajë nën kontroll për të ruajtur ekuilibrin e saj strategjik. Shqipëria ka qenë shembulli tipik i një shteti që ka kaluar nga një orbitë në tjetren, krejtësisht të kithta-nga sovjetikët, te kinezët, dhe më pas te perëndimorët.
Sot, Shqipëria është pjesë e qartë e sferës perëndimore të influencës, përmes anëtarësimit në NATO dhe bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ndikimet e tjera mbeten të pranishme: Turqia, si fuqi rajonale me trashëgimi historike dhe lidhje ekonomike të thella, përbën një shtyllë alternative ndikimi, e bazuar më shumë në pragmatizëm sesa në ideologji. Po ashtu, Italia, një nga vendet që i është gjendur gjithmonë pranë Shqipërisë në periudhën e saj të gjatë të tranzicionit, mbetet një partner i qëndrueshëm politik, ekonomik dhe kulturor. Përmes pranisë diplomatike aktive, bashkëpunimit ekonomik, ndihmës zhvillimore dhe mbështetjes për integrimin evropian, Italia ka qenë dhe mbetet një urë e qëndrueshme midis Tiranës dhe strukturave euroatlantike.
Nga ana tjetër, Rusia dhe Kina përpiqen të testojnë qëndrueshmërinë e këtij orientimi përmes rrjeteve ekonomike, të transportit, atyre energjetike dhe informative. Këto përpjekje e bëjnë të domosdoshëm forcimin e “imunitetit politik kombëtar”: drejtuesit politik shqiptarë duhet të lënë mënjanë fjalët e tepërta që tashmë janë kthyer në propagandë dhe të investohen seriozisht në një sistem që i reziston ndikimit të jashtëm përmes forcës së brendshme.
Sfera e sigurisë: nga parandalimi te përfshirja inteligjente
Në vitet e fundit është shfaqur një koncept i ri i cili e paraqet “sferën e sigurisë” si një alternativë të“sferës së influencës”.Në vend që fuqitë e mëdha të dominojnë njëra-tjetrën, ato duhet të respektojnë kufijtë e ndjeshmërisë strategjike dhe të mos shndërrojnë fqinjët në fronte lufte.
Në këtë kuptim, Shqipëria dhe Kosova duhet të kuptojnë se pozicioni i tyre në vijën e parë të Adriatikut dhe Ballkanit është privilegj, por edhe barrë. Si vende anëtare ose partnere të NATO-s, ato nuk mund të jenë spektatore, por kontributorë aktivë në sigurinë kolektive. Megjithatë, duhet të shmangin që të kthehen në pika provokimi midis sferave rivale të fuqive të mëdha.
SHBA mbetet garancia ekzistenciale e sigurisë kombëtare shqiptare. Aleanca me Uashingtonin nuk është thjesht politike, por ontologjike: pa të, do të mungonte vetë struktura mbrojtëse e shtetit modern.
Në të njëjtën kohë, Italia dhe Turqia përbëjnë shtyllën e dytë të këtij trekëndëshi stabiliteti. Bashkëpunimi ushtarak, logjistik dhe arsimor me Romën dhe Ankaranë e bën Shqipërinë pjesë të një zinxhiri strategjik që lidh Mesdheun me Ballkanin. Këto partneritete duhet të konsiderohen të natyrës ekzistenciale-jo si opsione të politikës së jashtme, por si kusht për mbijetesën kombëtare, gjë e cila fatkeqësisht nuk po konsiderohet si e tillë nga politika aktuale përmes deklaratave të papërgjegjshmë të drejtuesve politikë.
Sfera e interesit: nga mbijetesë në strategji kombëtare
Duke i ekspozuar shtetet e tjera ndaj alternativave mes sigurisë dhe influencës, superfuqitë shpesh detyrohen që të ofrojnë edhe rrugëdalje të tjera për shtetet të cilat do të konsumojnë këto dy produkte. Në vitin 2008, presidenti rus Dmitry Medvedev propozoi konceptin e “sferës së interesit”: zona ku një fuqi ka interesa historike që duhen marrë parasysh, pa pretenduar dominim. Kjo ishte edhe një alternativë me të cilën Rusia joshi Evropën perëndimore drejt një kurthi që kishte për qëllim forcimin e Rusisë për të realizuar me lëvizjet shoviniste kundrejt Ukrainës.
Sfera e interesit, për Shqipërinë, Kosovën dhe hapësirat e tjera shqiptare, është e pandashme nga dy sferat e para të siguruara dhe garantuara nga partnerët strategjikë. Kjo është një alternativë “by default” e cila është një sinergji që duhet të furnizojë vazhdimisht strategjinë e sigurisë tonë kombëtare. Në disa raste ky koncept të përkthehet edhe si art i ekuilibrit ndërmjet ekzistencës kombëtare dhe oportuniteteve gjeopolitike, por historia ka treguar qartë që oportunitetet gjeopolitike nuk mjaftojnë vetëm të shihen si të tilla, por edhe të ofrohen dhe garantohen si të tilla.
Sfera e interesit shqiptar duhet të përfshijë Ballkanin Perëndimor dhe Adriatikun-dy hapësira ku Shqipëria dhe Kosova luajnë rol stabilizues dhe ndërmjetësues.
Me projektet energjetike si TAP, me pozicionet portuale strategjike dhe me lidhjet me Kosovën, Shqipëria ka potencialin të shndërrohet në nyje energjetike dhe diplomatike të rajonit.
Por për ta arritur këtë, politika e jashtme duhet të çlirohet nga logjika e përditshme e rotacionit dhe të orientohet drejt interesit afatgjatë kombëtar: siguri, zhvillim dhe identitet euro-atlantik.
Në këtë kuptim, Tirana dhe Prishtina duhet të flasin me një zë të vetëm-në Washington, Romë dhe në Ankara-duke ruajtur ekuilibrin midis partnerit global dhe atij rajonal.
Nga ndikimi në ekuilibër: rruga e domosdoshme
Gjatë Luftës së Ftohtë të Parë, Shqipëria mbijetoi duke kaluar nga një bllok në tjetrin. Në Luftën e Ftohtë të Dytë, ajo nuk mund të mbijetojë duke u zhvendosur, por duke u konsoliduar me një vizion të qartë, afatgjatë dhe mënyrë të bindshme me vepra konkrete. Sot, tri sferat-ajo e influencës, e sigurisë dhe e interesit-kërkojnë një strategji të përbashkët:
Transparencë dhe integritet në politikën e brendshme për të ruajtur sovranitetin nga ndikimet;
Profesionalizëm ushtarak dhe diplomaci parandaluese për të forcuar rolin brenda NATO-s; dhe
Diplomaci ekonomike dhe rajonale për të përkthyer sigurinë në zhvillim.
Nëse Shqipëria dhe Kosova plotësojnë tre kriteret e lartpërmendura të një strategjie të përbashkët, Shqipëria nuk do të jetë më “fronti i radhës” në përplasjet e fuqive të mëdha, por një aleat i cili pa ekuivoke dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, pa më të voglin dyshim, do të jetë i orientuar drejt interesit të tij kombëtar në krah të partnerëve tanë strategjikë.
Nëse sfera e influencës është një fakt gjeopolitik, sfera e sigurisë duhet të jetë zgjedhje kombëtare, dhe sfera e interesit-projekt kombëtar.
Në fund të fundit, shqiptarët nuk kanë më luksin e paqartësisë strategjike. Në një epokë ku kufijtë e ndikimit global po ridizenjohen dhe aleancat matin seriozitetin e partnerëve të tyre, Shqipëria duhet të flasë me vepra, jo me deklarata. Koha e gjesteve simbolike ka mbaruar; ajo që kërkohet sot është strategji e qëndrueshme, unitet kombëtar dhe vizion afatgjatë, që ta bëjnë vendin jo thjesht përfitues të sigurisë perëndimore, por garant aktiv të stabilitetit rajonal. Vetëm kështu, fjala partneritet strategjik do të ketë kuptim real-jo si frazë diplomatike, por si premisë e ekzistencës dhe dinjitetit kombëtar shqiptar.
Shqipëria sa më parë duhet të zgjedhë de facto pozicionin e saj, para se t’ia zgjedhin të tjerët!
Endrit Reka
