Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, të premten ka nisur numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht i atyre të ardhura përmes postës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri më tani janë tërhequr mbi 28 mijë e 500 pako me fletëvotime nga dy kutitë postare jashtë Kosovës, në Berlin dhe Bernë.
Këto pako janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.
Sipas Elezit, nga më shumë se 28 mijë pako të pranuara deri tani, rreth 27 mijë e 600 janë aprovuar, ndërsa mbi 950 janë refuzuar.
Arsyeja kryesore e refuzimit të pakove ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit brenda pakos me fletëvotim.
Ai ka theksuar se procesi i tërheqjes së zarfeve me fletëvotime ende nuk ka përfunduar, andaj në këtë fazë nuk dihet numri i saktë i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës përmes postës.
Tërheqjet e fundit nga kutitë postare do të realizohen më 2 dhe 5 janar 2026.
Ndryshe, për votimin përmes postës nga diaspora kanë qenë të regjistruar rreth 58 mijë shtetas të Kosovës.
