Ka nisur takimi i kryeministrit, njëherësh kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Takimi po zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Temë kryesore e diskutimit do të jetë zgjedhja e presidentit, derisa afatet kushtetuese po afrohen. Takimi po zhvillohet pa prezencën e mediave.
Një ditë më parë, Kurti u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Sipas njoftimit të Zyrës për Media të Qeverisë, në këtë takim është konstatuar nevoja për bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit.
Madje, siç është thuhet në komunikatë është diskutuar edhe nevoja për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirën e Kosovës.
Në anën tjetër, edhe Bedri Hamza ka folur për takimin me Kurtin, ku ka thënë se zgjedhja e presidentit nuk është çështje vetëm e një partie mirëpo e të gjithë partive parlamentare. Ai ka thënë se si subjekt opozitar nuk do të jenë pengesë e proceseve shtetërore, mirëpo nuk mbështesin as kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe sipas frymës kushtetuese.
Partitë parlamentare duhet ta zgjedhin presidentin e vendit më së largu deri më 4 mars të këtij viti. Presidentes aktuale Vjosa Osmani i përfundon mandati me 4 prill, mirëpo Kushtetuta e thotë që presidenti i vendit duhet të zgjedhet 1 muaj më herët, në të kundërtën vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, raporton KP.
Ndërkohë, Vjosa Osmani është e vetmja që ka shprehur ambiciet për të kandiduar për një mandat tjetër pesë vjeçar. E njëjta për të zyrtarizuar kandidaturën duhet të mbledh tridhjetë nënshkrime të deputetëve. Madje për t’u thirrë seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit duhet të ketë dy kandidatë të zyrtarizuar me nga 30 nënshkrime të Kuvendit.
Deri tani partitë politike kanë qenë më të rezervuar për të komentuar ambiciet e Vjosa Osmanit për një mandat të dytë. Madje as në Lëvizjen Vetëvendosje, partinë në pushtet nuk kanë dhënë përgjigje definitive se a përkrahin Vjosa Osmanin.
Më të rezervuar se ado t’i mundësojnë një mandat të dytë Osmanin janë shprehur edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, në PDK dhe AAK kanë thënë se nuk kanë votë për Osmanin.
Sipas Kushtetutës së vendit presidenti në dy raundet e para duhet të zgjedhet me dy të tretat e votave apo tetëdhjetë deputetë, ndërkaq në raundin e tretë presidenti mund të zgjedhet me shumicë të thjeshtë prej 61 votash mirëpo në proces të votimit duhet të marrin 80 deputetë.
