Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe votën e dhënë, ndonëse partia e tij nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor për t’u bërë pjesë e Kuvendit.
Përmes një deklarate në Facebook, Limaj theksoi se gara zgjedhore është zhvilluar në rrethana të veçanta dhe me një mobilizim të madh, duke vlerësuar se rruga politike që ka ndjekur Nisma ka qenë e drejtë.
“Kjo nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por ka qenë e drejtë. Dhe ajo që ka më shumë vlerë se çdo rezultat është fakti se kemi qëndruar drejt, me kokën lart dhe me besim në atë që përfaqësojmë”, shkroi Limaj.
Ai theksoi se, pavarësisht rezultatit, mbështetja e qytetarëve mbetet shtylla kryesore për vazhdimin e angazhimit politik të Nismës, duke paralajmëruar më shumë punë dhe organizim në vitin e ardhshëm.
“Çdo votë është amanet. Çdo përkrahës është forcë. Kjo është një etapë që na obligon të jemi edhe më të përgatitur. Ajo që kemi ndërtuar deri këtu nuk ndalet, por forcohet”, u shpreh Limaj.
Duke reflektuar për vitin që po mbyllet dhe për sfidat që e presin partinë e tij, ai tha se Nisma do të vazhdojë rrugëtimin me përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen e Kosovës.
“Viti që vjen na pret me punë, me organizim dhe me përgjegjësi edhe më të madhe. Ne mbetemi të bindur se Kosova ecën përpara vetëm me bashkim, pjekuri dhe një vizion të qartë”, përfundoi Limaj, duke uruar qytetarët për Vitin e Ri dhe duke theksuar se angazhimi politik i Nismës do të vazhdojë.
Me 100 për qind të votave të numëruara për partitë politike, Nisma Socialdemokrate ka arritur të marrë vetëm 1.70%.
