Ballina Arritje Nissan anulon planet për prodhimin e automjetit të ri në Britani

Nissan anulon planet për prodhimin e automjetit të ri në Britani

Kompania automobilistike Nissan, ka anuluar planet për prodhimin në Britani të Madhe të modelit të saj të ri X-Trail SUV, që është një goditje shtesë për ekonominë britanike në vazhdën e krizës që e shoqëron Brexit-in, transmeton Anadolu Agency (AA). Stafi menaxherial i Nisanit, ka konfirmuar sot pohimet mediatike, duke thënë se X-Trail i ri do të prodhohet në Japoni, dhe jo në veri të Anglisë siç ishte planifikuar fillimisht. Nissan ka një fabrikë prodhimi në Sunderland, ku ka të punësuar rreth 7.000 persona. Modeli i ri X-Trail ishte planifikuar të prodhohet pikërisht në Sunderland sipas planit të përpiluar mbi një letër garancie të qeverisë britanike e cila tha më herët se dalja e saj nga Bashkimi Evropian, nuk do të rrezikojë sistemin saj ekonomik. Mbretëria e Bashkuar, më 29 mars pritet të braktisë BE-në, ndërkohë që plani i largimit shkaktoi ndarje dhe polemika të mëdha në Ishull. Kujtojmë se referendumi rreth Brexit-it u mbajt në qershor të vitit 2016, dhe që nga atëherë, Bashkimi Evropian ka ndalur të gjitha programet investuese, ndërkohë që shumë kompani britanike janë detyruar të shpërngulin biznesin e tyre në shtete tjera. Shembulli më i fundit është kompania Dyson, e njohur për prodhimin e markës globale të pajisjeve shtëpiake, që zhvendosi selinë e saj në Singapor. Kompania në fjalë tha se në dy vitet e ardhshme do të lëshojë në shitje automjete elektrike. Paralelisht me këtë kompania britanike P & O që tashmë për 182 vjet merret me transportin detar, njoftoi javën e kaluar se do të pezulloj regjistrimin e të gjitha mjeteve lundruese në Britani të Madhe, dhe se të njëjtat do t’i regjistrojë në Qipro. Më herët edhe gjiganti teknologjik, Sony, vendosi të shpërngulet nga Londra në Amsterdam.

Exit mobile version