Të paktën një mijë njerëz dhanë shpirt ndërsa prisnin evakuimin mjekësor
Të paktën një mijë njerëz kanë vdekur në Rripin e Gazës nga korriku 2024 deri në fund të muajit të kaluar ndërsa prisnin evakuimin mjekësor, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
“1,092 pacientë vdiqën nga korriku 2024 deri më 28 nëntor 2025 ndërsa prisnin evakuimin mjekësor,” tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në mediat sociale, duke shtuar se shifra, e cila vjen nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, është “ndoshta një nënvlerësim”.
“Që nga tetori 2023, OBSH dhe partnerët e saj kanë evakuuar më shumë se 10,600 pacientë me probleme serioze shëndetësore nga Gaza, përfshirë më shumë se 5,600 fëmijë në kujdes intensiv,” shtoi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.
Tedros bëri thirrje gjithashtu që “vendet e tjera të pranojnë pacientë nga Gaza dhe që evakuimet mjekësore të rifillojnë në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor”.
“Jetët varen nga kjo”, këmbënguli ai.
Pas më shumë se dy vitesh lufte midis Izraelit dhe Hamasit, ëqë në fakt ka qenë më shumë një gjenocid sionist ndaj popullatës së pafajshme, një armëpushim hyri në fuqi më 10 tetor nën presionin e SHBA-së, por evakuimet mjekësore ende po ndodhin me ritëm të ngadaltë.
Disa javë më parë, OBSH-ja tha se të paktën 16,500 banorë të Gazës ishin ende në pritje të evakuimit urgjent mjekësor.
Por një zyrtar i Mjekëve Pa Kufi (MSF) i tha AFP-së në fillim të dhjetorit se këto shifra përfshinin vetëm pacientët e regjistruar zyrtarisht dhe se numri real i pacientëve që prisnin të evakuoheshin ishte shumë më i lartë.
Deri më sot, 30 vende kanë marrë pacientë nga Gaza, por vetëm disa, përfshirë Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë marrë pacientë në numër të madh, sipas MSF-së. /tesheshi
