Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Një erë e zezë po fryn edhe mbi Spanjën…

Një erë e zezë po fryn edhe mbi Spanjën…

Zgjedhjet e të dielës mund t’i japin fund modelit politik të Sánchez dhe hedhin vendin në duart e ekstremit të djathtë

Gjithçka nisi me një shtëpi. Kriza e strehimit në Spanjë, mungesa kronike e banesave dhe fuqizimi i spekulantëve të pasurive të paluajtshme u kthyen në shkëndijën e një pakënaqësie që gradualisht përfshiu të gjithë vendin.

Bankat e mëdha dhe fondacionet amerikane të investimeve imobiliare, të cilat spanjollët i quajnë me përçmim “fondet grabitqare”, përfituan nga situata për të zgjeruar biznesin e tyre.

Dëbimi i Maricarmen Abascal, një gruaje 87-vjeçare nga banesa në Madrid ku jetonte që prej moshës 17-vjeçare, u kthye në simbolin e kësaj krize.

Pakënaqësia u përhap më pas te pagat, punësimi, emigracioni dhe infrastruktura e transportit, duke tronditur edhe më shumë shumicën e brishtë parlamentare të kryeministrit socialist Pedro Sánchez.

Goditja tjetër ishte tragjedia hekurudhore në Urda, ku përplasja ballore e dy trenave shkaktoi 69 viktima dhe 200 të plagosur, duke çuar në dorëheqjen e ministrit të Transportit.

Më pas erdhi kriza e emigracionit në enklavën spanjolle të Ceutës, ku rreth 15.000 të rinj hynë nga Maroku, me mbështetjen e autoriteteve të Rabatit.

Në këtë klimë u shtuan edhe skandalet e korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm, ku u përfshinë bashkëshortja e kryeministrit, Begoña Gómez, vëllai i tij David Sánchez dhe disa figura të Partisë Socialiste (PSOE).

Pas shtatë vitesh në pushtet, lodhja politike dhe pakënaqësia sociale e kanë konsumuar qeverinë. Më 5 tetor, pas dështimit të dy dekreteve për të trajtuar krizën e strehimit, Sánchez shpalli zgjedhje të parakohshme, duke ia lënë vendimin 38,7 milionë zgjedhësve spanjollë, të cilët do të votojnë këtë të diel.

Sondazhet e shumicës së instituteve parashikojnë humbjen e socialistëve. Partia Popullore (PP) e Alberto Núñez Feijóo pritet të marrë rreth 121 mandate, kundrejt 112 të PSOE-së. Ndërkohë, partia e ekstremit të djathtë Vox, e drejtuar nga Santiago Abascal, mund të arrijë deri në 69 mandate.

Një aleancë mes PP-së dhe Vox-it do të siguronte një shumicë të konsiderueshme, me rreth 190 mandate. Megjithatë, këto janë projeksione dhe jo një rezultat i sigurt.

Instituti shtetëror CIS paraqet një panoramë tjetër, duke parashikuar 33.3 për qind të votave për socialistët dhe 134-143 mandate. Nëse triumfon skenari i së djathtës, Spanja mund të bëhet një tjetër vend ku forcat konservatore dhe sovraniste hyjnë në qeverisje.

Kjo do të krijonte kushte për një afrim politik mes Madridit dhe Romës, ndërsa në Francë Marine Le Pen synon rikthimin në skenë përmes zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2027. Edhe në Gjermani, dobësimi i mbështetjes për kancelarin Friedrich Merz dhe rritja e AfD-së po ndryshojnë ekuilibrat politikë.

Deri vonë, Spanja konsiderohej një përjashtim në Evropë. Në një periudhë të karakterizuar nga luftërat, tensionet në Lindjen e Mesme dhe kriza energjetike, vendi arriti të ruante një rritje ekonomike të qëndrueshme. Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.7 për qind në vitin 2024 dhe me 2.6 për qind në vitin 2025.

Për vitin 2026 parashikohet një tjetër rritje prej 2.6 për qind. Ndërkohë, numri i të punësuarve arriti në 22 milionë, ndërsa papunësia zbriti në nivelet më të ulëta që prej viteve 2007-2008.

Një rol të rëndësishëm luajti reforma e tregut të punës e vitit 2021, e dakordësuar mes qeverisë, sindikatave dhe sipërmarrjeve. Ajo kufizoi kontratat e përkohshme dhe nxiti punësimin e përhershëm, ndërsa paga minimale u rrit në 1.220 euro në muaj, pothuajse dyfishi i nivelit të vitit 2018.

Po ashtu, Spanja investoi fuqishëm në energjinë eolike dhe atë diellore, duke prodhuar rreth 60 për qind të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. Kjo uli kostot energjetike dhe e bëri vendin më tërheqës për investimet industriale e teknologjike.

Kontribut dhanë edhe përdorimi i fondeve evropiane të rimëkëmbjes, rritja e turizmit dhe politikat e legalizimit të emigrantëve. Rreth 500.000 emigrantë përfituan leje qëndrimi të përkohshme njëvjeçare, të rinovueshme, duke ndihmuar në plotësimin e nevojave të tregut të punës.

Megjithatë, suksesi ekonomik nuk e zgjidhi krizën sociale. Rritja e popullsisë dhe emigracioni shtuan kërkesën për banesa, duke krijuar një mungesë prej rreth 700.000 njësish.

Fondet e investimeve përfituan nga kjo situatë, duke nxitur rritjen e çmimeve dhe të qirave, ndërsa shumë familje patën gjithnjë e më të vështirë të përballonin strehimin. Në të njëjtën kohë, e majta u përça.

Frente Amplio, e lidhur me ish-kryebashkiaken e Madridit Ada Colau, dhe Podemos, ku një rol të rëndësishëm ka Irene Montero, garojnë për të njëjtin elektorat.

Kjo përçarje mund t’i kushtojë shtrenjtë socialistëve, megjithëse një bashkim i votave të tyre mund të krijojë mundësi për një shumicë alternative.

Gjithsesi, një faktor vendimtar do të jetë pjesëmarrja në votime. Socialistët shpresojnë të rikthejnë në kuti elektoratin tradicional: pensionistët, gratë, punonjësit e administratës publike dhe shtresat e mesme në qytetet e mëdha.

Nga ana tjetër, Vox po zgjeron ndikimin te të rinjtë nën 35 vjeç, te familjet me të ardhura fikse dhe madje edhe te një pjesë e klasës punëtore që tradicionalisht votonte për socialistët. Partia Popullore mbështetet kryesisht te votuesit mbi 55 vjeç, shtresat me të ardhura të larta dhe zonat rurale të Spanjës së brendshme.

Mbi rezultatin do të rëndojnë edhe hetimet për familjarët e kryeministrit dhe skandalet e korrupsionit në radhët e PSOE-së. Gjatë përballjes me Feijóon, Sánchez kërkoi falje për rastet e korrupsionit, por njëkohësisht mbrojti bilancin ekonomik dhe social të qeverisë së tij.

Zgjedhjet spanjolle janë më shumë se një garë për pushtetin në Madrid. Ato do të tregojnë nëse modeli ekonomik dhe politik i Sánchez mund t’i mbijetojë krizave dhe përçarjeve të brendshme, apo nëse Spanja do t’i bashkohet valës së djathtë që po ndryshon hartën politike të Evropës. /tesheshi

Exit mobile version