Rrëfimi i një ish-ministreje socialiste mbi të birin që ia ndjeu për Shqipërinë, por…
Ish-ministrja socialiste e epokës Nano, Ermelinda Meksi, ka ndarë me publikun një përvojë të saj në kuadër të Samtit të Diasporës, e cila në thelb është një goditje për qeverisjen Rama.
Znj. Meksi nuk është njohur për natyrë të ashpër politike, e kundërta. Ajo që ka qenë një “grua e urtë” në qeverisje, por kohët e fundit po adreson kritika të mprehta ndaj njeriut që qeveris, në krah të të cilit qëndronte dikur: ai si kryebashkiak e ajo si deputete e Tiranës.
Ja ç’përcjellë ajo së fundi:
Duke ndjekur në TV Samitin e Diasporës, nuk mund të mos i rikthehem një përvoje personale që flet më shumë se çdo fjalim.
Im bir, prej 12 vitesh në Austri, ka ruajtur gjithmonë dëshirën për t’u kthyer dhe kontribuar në Shqipëri. I diplomuar në Menaxhim Ndërkombëtar Biznesi, ndërkohë që ndjek studimet master, punon në një kompani ndërkombëtare në fushën e sigurisë kibernetike. Me pasion ka ndjekur edhe fusha si IT dhe AI, duke u certifikuar në platforma ndërkombëtare.
Vitin e kaluar, pasi mësoi për sulmet kibernetike që kishin ndodhur në Shqipëri, i propozoi kompanisë së tij, e cila operon në shumë vende, të shtrihej edhe në vendin tonë. Nga analiza e ekspertëve rezultoi se disa institucione shqiptare ishin seriozisht të ekspozuara ndaj riskut kibernetik.
Me dëshirën për të kontribuar, ai u shkroi institucioneve përkatëse, duke shpjeguar me profesionalizëm çfarë ofronte kompania për të reduktuar këtë risk.
Nuk mori asnjë përgjigje.
Më tregoi per sa u kish shkruar disa institucioneve shqiptare disa ditë më vonë, me një zhgënjim që i lexohej qartë në sy. Ndihej në siklet per mungesen e etikes se institucioneve tona përballë drejtuesve të kompanisë, të cilët ishin në dijeni të komunikimit dhe prisnin një reagim minimal.
Më kërkoi ndihmë, qoftë edhe vetëm për të marrë një përgjigje zyrtare, cilado të ishte ajo.
Por edhe përpjekja ime duke u kerkuar ndihme dy kolegeve rezultoi pa sukses në marrjen e një përgjigjeje. Po përmend me emër vetëm një nga institucionet, qe im bir kontaktoi nepermjet emailit zyrtar: AKSHI; për të tjerat po ruaj etikën.
Kur shpërtheu skandali i AKSHI-t, u bë e qartë se heshtja nuk kishte qenë rastësi.
Kur më pas mësuam për shifra të mëdha investimesh, u kuptua edhe më qartë arsyeja e mungesës së përgjigjes.
Si mund të dyfishohen projektet nga dy në katër milionë? Si mund të operojë një kompani serioze në një sistem ku ryshfeti bëhet pjesë e lojës?
Dhe në fund arrin në përfundimin e dhimbshëm: “Më mirë që nuk mora përgjigje, sesa të përfshihesha në atë realitet.”
Por ky nuk është një rast i izoluar. Shumë të rinj sot megjithë dëshirën për të kontribuar, përballen me mungesë dëgjimi, mungesë meritokracie dhe një sistem që më shumë se aftësinë favorizon lidhjet klienteliste.
Ndërsa dëgjoja Samitin e Diasporës, natyrshëm dëshiroja përgjigje mbi: çfarë rezultate konkrete kanë sjellë samitet e deritanishme? Sa ura bashkëpunimi janë ndërtuar realisht dhe sa profesionistë janë përfshirë në mënyrë domethënëse?
Diaspora shqiptare ka kontribuar ndër vite jo vetëm përmes remitancave apo investimeve, por edhe përmes dijes, eksperiencës dhe standardeve që ka ndërtuar jashtë vendit. Ndoshta ka ardhur koha që fokusi të zhvendoset më shumë pikërisht tek kontributi i kapitali njerëzor.
Sepse vlera më e madhe që diaspora mund të sjellë nuk është vetëm financiare, por është dija, profesionalizmi dhe kultura e punës që mund të ndihmojnë realisht në zhvillimin e vendit.
Dëshira për të kontribuar ekziston dhe është e sinqertë. Ajo që kërkohet është një qasje më e hapur, më e përgjegjshme dhe e bazuar në meritë, në mënyrë që këto energji dhe kapacitete të mos mbeten të pashfrytëzuara.
Vetëm kështu samitet mund të kthehen në besim dhe kontribut konkret për vendin; ndryshe, rrezikojnë të mbeten thjesht fasadë.
