Muhammed Ramazan Saad, një shitës librash të vjetër (sahaf) nga banorët e Beit Lahiya në veri të Rripit të Gazës, për shkak të pasionit të tij për librat që e bënë këtë punë për 36 vite me rradhë, po i transporton librat që ka nxjerrë nga rrënojat e shtëpisë së tij të shkatërruar deri në Deir el-Balah, ku është detyruar të zhvendoset, raporton Anadolu.
Gjatë sulmeve që Izraeli ka vazhduar në Gaza për rreth 3 vite, shumë institucione arsimore dhe shkolla, si dhe bibliotekat dhe libraritë vende ku ruhet kultura dhe kujtesa kolektive janë shkatërruar.
Populli i Gazës, gjatë kësaj periudhe të gjatë të përballjes me shkatërrimin, ka luftuar kryesisht për mbijetesë, ndërsa arsimi dhe aktivitetet kulturore e artistike janë shtyrë në plan të dytë.
Pas një armëpushimi që, sipas palestinezëve, nuk është respektuar nga Izraeli, banorët e Gazës kanë filluar ngadalë të kthehen në jetën e tyre, duke iu rikthyer profesionit, hobive dhe aktiviteteve që i duan.
Bibliotekën e tij e zhvendosi nga veriu i Gazës në pjesën qendrore
Muhammed Ramazan Saad, i cili i ka kushtuar jetën mbledhjes dhe leximit të librave, është vetëm një nga palestinezët që janë privuar nga profesioni dhe pasionet për shkak të sulmeve.
Në të kaluarën, Saad kishte një librari me mijëra libra në bodrumin e një ndërtese katërkatëshe në Beit Lahiya, por ky “thesar” i tij u shkatërrua nga sulmet izraelite.
I zhvendosur nga Beit Lahiya në Deir el-Balah në pjesën qendrore të Gazës, Saad, i shtyrë nga dashuria dhe malli për librat, ka filluar herë pas here të kthehet në veri për të nxjerrë libra nga rrënojat e shtëpisë së tij.
Me librat që ka arritur të shpëtojë nga rrënojat, ai ka rindërtuar pjesërisht bibliotekën e tij dhe i ekspozon ato në një tezgë të vendosur në rrugë në Deir el-Balah, ku i ofron lexuesve.
Ka marrë me qira një tendë për të mbrojtur librat
“Me librat që kam nxjerrë nga rrënojat e shtëpisë dhe i kam sjellë në Deir el-Balah, kam përsëri një bibliotekë të madhe”, tha Saad.
Ai tregoi se fillimisht i ekspozonte librat në trotuar për shitje, por më pas, pasi dielli po i dëmtonte, mori me qira një tendë dhe i vendosi aty.
Duke theksuar se çdo lexues është shumë i vlefshëm për të, Saad tha: “Nuk ka rëndësi nëse kanë para apo jo, unë i jap libra çdo kujt që vjen tek unë. Sepse i dua të gjithë ata që lexojnë dhe që mbajnë një libër në dorë. Libri është shumë i rëndësishëm. Njerëzit sot shikojnë internetin, por informacioni në internet nuk mund të zëvendësojë librat. Thelbësor është libri”.
Duke jetuar bashkë me librat në tendë, ai shprehu pasionin e tij me fjalët: “Librat janë jeta ime, janë gjithçka për mua”.