Ç’lidhje ka India me konfliktin e ri Afganistan-Pakistan?
Pakistani ka deklaruar zyrtarisht se gjendet në një “luftë të hapur” me Afganistanin. Deklarata e fortë erdhi nga Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khaëaja Mohammad Asif, pas një nate të përgjakshme sulmesh ajrore dhe luftimeve tokësore ndërkufitare që tronditën të dyja vendet të premten në mëngjes.
Orët e para të së premtes u shënuan nga shpërthime të fuqishme në kryeqytetin afgan, Kabul, si dhe në qytetin jugor të Kandaharit dhe provincën Paktia. Pakistani konfirmoi se kreu sulme ajrore në këto zona si hakmarrje ndaj asaj që e cilësoi si “agresion i paprovokuar” dhe sulme terroriste ndërkufitare të nisura nga territori afgan.
Sipas dëshmitarëve, zhurma e avionëve luftarakë dhe shpërthimet jehonë nëpër rrugët e Kabulit, duke shënuar një thyerje të rëndë të stabilitetit rajonal. Ministri Asif, përmes një postimi në rrjetin social X, akuzoi udhëheqjen talebane në Kabul se ka dështuar të fokusohet në mirëqenien e popullit të vet, duke e shndërruar Afganistanin në një “koloni të Indisë” dhe një qendër për eksportin e terrorizmit global.
Islamabadi pretendon se militantët e Ushtrisë Çlirimtare të Baluçëve dhe talebanët pakistanezë gjejnë strehë të sigurt në Afganistan, akuza këto që qeveria afgane i ka mohuar vazhdimisht. Të dyja palët kanë lëshuar shifra viktimash që ndryshojnë rrënjësisht, duke e bërë të pamundur verifikimin e pavarur në këtë fazë të konfliktit.
Ministria e Mbrojtjes në Kabul pretendon se forcat e tyre vranë 55 ushtarë pakistanezë dhe shkatërruan 19 postblloqe kufitare. Sipas tyre, tetë ushtarë afganë humbën jetën. dNërkhë zëdhënësi i kryeministrit pakistanez mohoi humbjet masive dhe deklaroi se të paktën 133 luftëtarë afganë u vranë në sulmet e tyre, ndërsa Pakistani humbi vetëm dy ushtarë.
Ky përshkallëzim vjen në një kohë kur marrëdhëniet ishin tensionuar tashmë nga dëbimi masiv i migrantëve afganë nga Pakistani. Pas shpërthimit të luftimeve, dhjetëra refugjatë që prisnin në pikën kufitare të Torkhamit janë detyruar të kthehen mbrapsht për shkaqe sigurie.
Përpjekjet e mëparshme për ndërmjetësim nga Katari dhe Turqia duken se kanë dështuar përballë këtij shpërthimi të dhunës, duke e lënë rajonin në prag të një konflikti të gjerë me pasoja të paparashikueshme për sigurinë globale. /tesheshi
