Një person është duke u intervistuar nga Policia në Mitrovicë lidhur me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar.
Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani, e ka bërë të ditur rastin, duke mos dhënë shumë detaje.
Ai ka njoftuar se pas intervistimit, ai do të lirohet.
“Një person me interes në lidhje me rastin Banjska është duke u intervistuar në stacionin policor jug. Pas intervistimit i njëjti do të lirohet”, ka thënë Elshani.
Të mërkurën Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave me në krye Milan Radoiçiqin, nën dyshimin e bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” e sanksionuar me nenin 126 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 118 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).