Trump e ka të vështirë të arrijë një marrëveshje më të favorshme me Iranin se ajo e vitit 2015
Presidenti amerikan Donald Trump mund të marrë një mësim të vlefshëm për Iranin nga një episod i pazakontë në historinë australiane: “Lufta e Madhe e Emu-ve” e vitit 1932. Mësimi është i thjeshtë, por i rëndësishëm: epërsia teknologjike nuk garanton fitore ndaj një kundërshtari të shpërndarë, elastik dhe të aftë për të mbijetuar.
Në pamje të parë, përpjekja për të ndalur tufat e zogjve Emu që shkatërronin të mbjellat në Australinë Perëndimore duket se ka pak lidhje me konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit. Megjithatë, ngjashmëria qëndron te strategjia.
Në të dy rastet, një forcë shumë më e fuqishme u përball me një kundërshtar më të dobët, por të vështirë për t’u mposhtur. Kjo nuk do të thotë se Irani mund të krahasohet me Emu-të. Qeveria iraniane ka përdorur forcë brenda dhe jashtë vendit dhe mbështet grupe të armatosura në rajon, ndërsa Emu-të janë zogj të mëdhenj australianë që nuk fluturojnë.
Por të dy rastet tregojnë se fuqia ushtarake nuk është gjithmonë e mjaftueshme për të arritur objektivat politike. Në fund të vitit 1932, rreth 20 mijë Emu migruan në Australinë Perëndimore, duke shkaktuar dëme të mëdha në të mbjellat me grurë.
Fermerët kërkuan ndërhyrjen e qeverisë, e cila vendosi të dërgonte ushtrinë. Dy mitralozë Lewis u vendosën në terren nën drejtimin e majorit Gwynydd Purves Wynne-Aubrey Meredith. Plani dështoi pothuajse menjëherë.
Sapo ushtarët hapnin zjarr, Emu-të shpërndaheshin në grupe të vogla dhe bëheshin objektiva shumë të vështirë. Sipas një dëshmie, rreth 2.500 fishekë të qëlluar gjatë javës së parë vranë vetëm rreth 50 zogj.
Operacioni u ndërpre pas një muaji dhe raporti zyrtar shënonte me ironi se ushtarët nuk kishin pësuar humbje, përveç dinjitetit të tyre. Edhe një përpjekje e dytë nuk solli sukses.
U vranë më shumë zogj Emu, por problemi vazhdoi. Armët moderne nuk arritën të mposhtnin një kundërshtar të shpërndarë dhe vazhdimisht në lëvizje. Ky episod tregon kufijtë e fuqisë ushtarake, një mësim që vlen edhe për konfliktin aktual me Iranin.
SHBA-ja mbetet forca ushtarake më e fuqishme në botë dhe mund të godasë objektiva iraniane me armë të sofistikuara. Megjithatë, kjo nuk ka sjellë një goditje vendimtare.
Irani vazhdon të ruajë aftësinë për të lëshuar raketa dhe dronë ndaj bazave amerikane dhe aleatëve të tyre në Gjirin Persik, si edhe të mbajë nën kontroll trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit.
Ashtu si Emu-të shpëtonin duke u shpërndarë, edhe Irani ka organizuar strukturat e tij në mënyrë që të mbijetojë dhe të vazhdojë të kundërpërgjigjet. Për ta, nuk është e domosdoshme një fitore ushtarake. Mjafton të zgjasin konfliktin dhe të rrisin koston politike e ekonomike për kundërshtarin.
Por leksioni më i rëndësishëm nga Lufta e Emu-ve nuk lidhet me dështimin ushtarak, por me mënyrën se si u zgjidh problemi. Pasi u tërhoq ushtria , autoritetet ndërtuan gardhe për të ndarë Emu-të nga tokat bujqësore. Pra strategjia e frenimit ishte më efektive sesa përdorimi i forcës.
Kjo ishte edhe qasja e administratave të mëparshme amerikane ndaj Iranit. Edhe pse rezultatet e saj mund të debatohen, ajo dukej se funksiononte më mirë sesa situata aktuale.
Fushata ushtarake e Trump nuk ka arritur objektivat e deklaruara. Programi bërthamor iranian nuk monitorohet më si më parë, aftësitë raketore vazhdojnë të ekzistojnë dhe, megjithëse shumë drejtues janë eliminuar, udhëheqja aktuale shihet si edhe më pak e gatshme për kompromis.
Ndërkohë, Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe presioni mbi tregjet globale të energjisë. Për këtë arsye, për Trump-in do të jetë e vështirë të arrijë një marrëveshje më të favorshme sesa ajo bërthamore e vitit 2015, nga e cila SHBA-ja u tërhoq në vitin 2018. /tesheshi
