Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Një tjetër “tren humanitar” me 921 tonë ndihma për në Afganistan niset...

Një tjetër “tren humanitar” me 921 tonë ndihma për në Afganistan niset nga Turqia

Një tjetër “tren humanitar” me 921 tonë ndihma për në Afganistan u nis nga Ankaraja, kryeqyteti i Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Treni humanitar” nga Turqia në Afganistan do të përshkojë 4.168 kilometra dhe do të transportojë ndihmën e 16 organizatave humanitare në 45 vagonë, të koordinuar nga Drejtoria për Situata të Jashtëzakonshme e Turqisë (AFAD).

“Treni do të kalojë përmes Iranit dhe Turkmenistanit dhe do të dërgojë ndihma të konsiderueshme humanitare në Afganistan”, tha Hasan Pezuk, kreu i Hekurudhave të Republikës së Turqisë (TCDD), gjatë një fjalimi në një ceremoni.

Midis të pranishmëve ishin zyrtarë turq, duke përfshirë zëvendësministrat e brendshëm dhe të transportit, përfaqësues të organizatave humanitare, AFAD dhe Drejtorisë për Çështjet Fetare (Diyanet).

Dy trenat, të cilët transportuan 750 tonë ndihma në 47 vagonë, u nisën nga Ankaraja më 27 janar dhe mbërritën në Afganistan më 7 shkurt.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha se gjysma e popullsisë së Afganistanit po përballet me urinë, ndërsa më shumë se nëntë milionë njerëz janë zhvendosur. Gjithashtu, miliona fëmijë nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë.

OKB-ja dhe partnerët kanë iniciuar më parë një thirrje prej 4,4 miliardë dollarësh për fonde për të parandaluar një fatkeqësi humanitare në Afganistan në vitin 2022.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se miliona afganë mund të vdesin nga uria, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të lejojë përdorimin e aseteve të ngrira dhe të fillojë një sistem bankar. /aa

Exit mobile version