Ballina Artikuj Njeriu është i nxituar

Njeriu është i nxituar

Muhamed Atije

Sipas disa transmetimeve që gjenden në librat e tefsirit, shpirti nisi të përshkojë Ademin (a.s) fillimisht nga ana e fytyrës. Ai, duke qenë i nxituar, deshi të lëvizte përpara se shpirti të mbërrinte te këmbët e tij. Kjo prirje për nxitim mbeti te pasardhësit e Ademit: ajo mund të jetë një shtysë për të ndërtuar e përparuar në shkallët e lavdisë, por mund të shndërrohet edhe në një faktor shkatërrues, që e çon njeriun drejt humbjes.

Kur nxitimi shkatërron njeriun dhe marrëdhëniet e tij

Sa shumë dëm i shkakton nxitimi njeriut, kur e mban atë në një gjendje të vazhdueshme tensioni, duke i harxhuar energjitë mendore dhe psikologjike! Ai e shtyn atë të marrë vendime të rrezikshme, pa menduar për pasojat që këto vendime mund të kenë për veten dhe marrëdhëniet e tij. Sa fjalë të thëna në çast zemërimi, pa i peshuar pasojat, janë bërë shkak për shkurorëzimin e një gruaje, për prishjen e një partneriteti apo për ndërprerjen e lidhjeve të miqësisë mes dy njerëzve, marrëdhënia e të cilëve kishte zgjatur me dhjetëra vjet!

Kur nxitimi na privon nga shijimi i çastit të tanishëm

Njeriu nxiton drejt së ardhmes dhe pret që ajo të jetë më e mirë e më e lumtur se gjendja në të cilën ndodhet tani. Kështu, ai humbet kënaqësinë e shijimit të çastit të tanishëm, të hollësive të tij dhe të sukseseve të vogla që ka arritur në të.

Këto çaste përbëjnë një rezervë lumturie, të cilën njeriu mund ta rikujtojë në kohën e lirë ose kur e rrethojnë vuajtjet. Kujtimet e bukura mund të bëhen burim shprese dhe drite për të dalë nga kriza e tanishme, si dhe balsam që lehtëson plagët e thella shpirtërore të shkaktuara nga fatkeqësitë.

Prirja e njeriut për nxitim e ka shtyrë atë të prodhojë makineri që lehtësojnë shumë punë dhe pakësojnë kohën e mundin që dikur kërkoheshin për kryerjen e tyre. Por, si e ka shfrytëzuar ai këtë pasuri kohe dhe mundi që ka fituar? A i ka vënë ato në shërbim të më shumë punëve, për të shtuar bilancin e arritjeve dhe regjistrin e veprave të mira? Apo koha e lirë është bërë shkak për kriza të njëpasnjëshme psikologjike, të cilat ai nuk arrin t’i mbushë me vepra të mira e të dobishme për veten dhe të tjerët?

Pikërisht këtu duhet të flasim për rëndësinë e hartimit të projekteve madhore, të menduara nga njerëzit e urtë dhe largpamës, të cilat shfrytëzojnë energjitë e individëve të shoqërisë dhe i orientojnë ato në drejtimin e duhur: drejt arritjeve dhe kontributit.

Ndoshta një nga veprat e mira është edhe propozimi i një ideje që u jep mundësi të dobishme për ta shfrytëzuar kohën e lirë të rinjve, pensionistëve që janë ende të aftë të kontribuojnë, amvisave dhe çdo grupi tjetër të shoqërisë. Puna i jep jetës gjallëri dhe vlerë, përveçse përbën furnizimin me të cilin myslimani paraqitet para Zotit të tij.

Nxitimi e dëmton marrëdhënien me Allahun e Lartësuar

Kur namazliu hyn në xhami mjaftueshëm kohë para namazit, është e ligjshme që të falë namazin e përshëndetjes së xhamisë dhe sunetet para farzit. Por ndodh që disa njerëz të hyjnë pak para namazit, pa pasur kohë të mjaftueshme për të falur sunetin para farzit. Ata që janë të nxituar qëndrojnë në këmbë të tensionuar dhe ua prishin të tjerëve çastet e përmendjes së Allahut dhe të përgjërimit ndaj Tij, të Madhëruar. Ata nuk arrijnë as të qëndrojnë të qetë, as ta përmendin Allahun apo t’i drejtohen Atij me lutje gjatë këtij çasti të begatë. Përkundrazi, i mbajnë sytë te koha që ka mbetur deri në thirrjen e ikametit, duke pritur me padurim. Kur thirret ikameti, u duket sikur koha ka ndaluar ose po kalon jashtëzakonisht ngadalë.

Nxitimi në përvetësimin e dijes

Allahu i Lartësuar ia ndaloi nxitimin Profetit të Tij, ndonëse ai ishte krijesa më e përsosur dhe më e afta për të përvetësuar dijen, kur merrte ajetet e Kuranit nga Xhibrili: “Ne e kemi ndarë Kuranin pjesë-pjesë, që ti t’ua lexosh njerëzve dalëngadalë.”[1]

Nëse nxitimi është i ndaluar gjatë marrjes së Kuranit, ç’mund të thuhet për të tjerat? Dhe nëse ky ndalim i drejtohej Profetit (a.s), ç’mund të thuhet për të tjerët, të cilët nuk e kanë arritur atë në aftësitë mendore, përqendrimin dhe përkushtimin ndaj dijes?

Këtu kemi një mësim edhe për ata që e rrisin shpejtësinë e videove mësimore deri në maksimumin që mund të dëgjojnë, vetëm që ta përfundojnë sa më shpejt videon. Kjo mënyrë ia mohon njeriut kënaqësinë e të nxënit dhe i humbet mundësinë për ta kuptuar qartë përmbajtjen, me të gjitha hollësitë e saj të rëndësishme.

E njëjta dukuri vihet re edhe te disa njerëz që shkruajnë studime shkencore, hartojnë libra apo shkruajnë artikuj. Sapo ndeshin një informacion, nxitojnë ta përfshijnë në shkrimin e tyre, pa verifikuar vërtetësinë e tij, nëse i është atribuar saktë autorit të përmendur dhe pa e vlerësuar në dritën e parimeve shkencore të pranuara nga dijetarët. Ajo që i shtyn drejt kësaj mënyre veprimi është dëshira për ta përfunduar sa më shpejt punën që kanë nisur dhe për të shtuar numrin e faqeve e të titujve që kanë shkruar.

Si pasojë e këtij nxitimi janë prodhuar punime shkencore dhe letrare boshe nga përmbajtja, të cilat shkaktojnë më shumë trazira sesa vendosin të vërteta dhe nuk e kënaqin etjen e lexuesit që kërkon dije.

Duhet të theksojmë gjithashtu se ka njerëz që përballen me vështirësi në të nxënë. Kjo mund t’i bëjë ata të heqin dorë nga kërkimi i dijes, ose mund t’i bëjë ata që kujdesen për ta ta shohin këtë rrugë si tepër të vështirë dhe të mendojnë se personi që mëson ngadalë nuk do t’ia dalë kurrë. Një bindje e tillë është shkatërruese për talentin.

Ne pajtohemi me ata që mendojnë se çdo njeri ka një talent, i cili mund të shfaqet në fusha të ndryshme, si bujqësia, puna artizanale, tregtia apo fusha të tjera përmes të cilave sigurohet jetesa.

Megjithatë, vështirësitë në të nxënë mund të kapërcehen kur ekzistojnë një qëllim i sinqertë, një vendosmëri e palëkundur, një mësues që zotëron durim të admirueshëm, si dhe një familje e një shoqëri që e mbështesin kërkimin e dijes dhe e shohin atë si rrugë drejt shpëtimit dhe përmirësimit.

Çështja e të nxënit të ngadaltë është e hershme dhe është trajtuar edhe nga Hatib el-Bagdadi. Ai tregon: “Ishte një njeri që kërkonte dijen, por nuk po arrinte ta përvetësonte. Prandaj vendosi të hiqte dorë prej saj. Një ditë kaloi pranë ujit që zbriste nga maja e një mali dhe binte mbi një shkëmb, të cilin rrjedha e ujit e kishte gërryer. Atëherë tha: “Uji, megjithëse është i butë, ka lënë gjurmë në një shkëmb, ndonëse ai është i fortë. Për Allahun, do të vazhdoj ta kërkoj dijen!” Kështu, ai vazhdoi të mësonte dhe ia doli mbanë.”

Allahu i Lartësuar e drejtoi këtë njeri drejt asaj pamjeje, që ai të kuptonte se, me durim, këmbëngulje dhe mbështetje të sinqertë tek Allahu, njeriu mund ta arrijë atë që kërkon.

Dija është më e butë se uji dhe, pa dyshim, mendja e njeriut është më pak e fortë se shkëmbi. Atëherë, përse të përjashtohet mundësia që njeriu të përvetësojë një sasi të caktuar dijeje përmes durimit dhe këmbënguljes? Në fund të fundit, çfarë është dija tjetër veçse një informacion që i shtohet një informacioni tjetër?

Sa mësues ka që e kanë shfaqur hapur dëshpërimin për disa prej nxënësve të tyre dhe u kanë thënë troç: “Ti nuk je i përshtatshëm për të mësuar dhe as mësimi nuk është i përshtatshëm për ty” Disa nxënës e përvetësojnë këtë dëshpërim, ndërsa të tjerë luftojnë për t’i dëshmuar mësuesit se mendimi i tij ishte i gabuar dhe se ai nuk kishte qenë në gjendje t’i vlerësonte drejt aftësitë e tyre. Madje, disa arrijnë të marrin diplomat më të larta dhe shkojnë te mësuesi që u kishte thënë se ishin të dështuar dhe se nuk do të kishin kurrë sukses, për t’i thënë: “Ja ku jam! Kam arritur atë që ti mendoje se nuk do të mund ta arrija.”

Nxitimi në edukim

Njeriu dëshiron t’i shohë fëmijët e tij në majat e arsyes, urtësisë dhe mëshirës. Por arritja e këtyre niveleve kërkon përpjekje dhe durim të gjatë e të bukur. Nxitimi e dëmton procesin edukativ dhe e bën edukuesin të ndihet i zhgënjyer. Ajo që ndez në zemrën e tij shkëndijën e shpresës është të kuptuarit e rolit të kohës, si pjesë e vetë procesit të përmirësimit, si dhe ndërgjegjësimi për fjalën e Allahut të Lartësuar: “Allahu ju ka nxjerrë nga barkët e nënave tuaja, kur ju nuk dinit asgjë.”[2]

Njeriu i fiton përvojat dhe aftësitë gradualisht. Përvojat përsëriten dhe, me kalimin e kohës, i bëhen të qarta gjërat që më parë nuk i kuptonte.

Edukuesi harron se edhe ai vetë dikur ishte një i ri impulsiv, që nuk i peshonte mirë gjërat. Sapo shihte diçka, nisej drejt saj pa pyetur veten: Cila është rruga e duhur dhe më e shkurtër? Dhe a jam në gjendje ta ndjek atë?

Ngjarjet dhe vitet kalojnë, ndërsa ai mëson gradualisht të bëjë durim, derisa fillon të çuditet me ata që nxitojnë, ndonëse deri vonë kishte qenë si ata, madje edhe më i nxituar. Por këtë e ka harruar.

Nxitimi mbetet, siç thonë arabët, “nëna e të gjitha pendimeve”, sepse prej tij burojnë të këqija të panumërta.

Çfarë ndihmon për të vepruar me qetësi dhe maturi?

Të shkuarit në namaz me qetësi: Profeti (a.s) ka thënë: “Kur të dëgjoni ikametin, shkoni për në namaz me qetësi dhe dinjitet, mos nxitoni. Atë pjesë të namazit që e arrini, faleni, ndërsa atë që ju ka kaluar, plotësojeni.”[3]

Pritja e namazit: Shfrytëzimi i kohës së pritjes me adhurim.

Shfrytëzimi i kohës së pritjes: Me leximin e Kuranit, përmendjen e Allahut, meditim dhe lutje.

Qetësia dhe përqendrimi gjatë namazit.

Leximi i Kuranit me ngadalësi dhe maturi: Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e kemi ndarë Kuranin pjesë-pjesë, që ti t’ua lexosh njerëzve dalëngadalë.”[4]

Të kuptuarit se nxitimi nuk e afron atë që është larg: Çdo gjë që mungon ka kohën e vet kur do të mbërrijë.

Edukimi i fëmijëve: T’i mësojmë të përballojnë pritjen.

Kur është nxitimi i dobishëm?

Është thënë: “Nxitimi është prej shejtanit, përveçse në gjashtë raste: falja e namazit sapo të hyjë koha e tij, varrosja e të vdekurit kur të jetë i pranishëm, martimi i vajzës së pamartuar kur të arrijë moshën e duhur, shlyerja e borxhit kur të bëhet i detyrueshëm, gostitja e mysafirit kur të mbërrijë dhe nxitimi për t’u penduar kur të kryhet një mëkat.”

Autor: Muhamed Atije

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Isra: 106.

[2] – Sure Nahl: 78.

[3] – Buhariu.

[4] – Sure Isra: 106.

Exit mobile version