Ballina Autorë Opinione Nuk ka aleat të përhershëm, ka vetëm interesa (kombëtare) të përhershme!

Nuk ka aleat të përhershëm, ka vetëm interesa (kombëtare) të përhershme!

Murat Aliu

Shqiptarët jetojnë në Ballkan, një gadishull ky gjeografikisht që është pjesë e Europës dhe i pandashëm nga ajo. Gjeografikisht, të qenit pjesë e Europës imponon bashkëpunim të domosdoshëm mes shteteve europiane. Pra, në këtë pikë, gjeografia del si përcaktuese e krijimit të marrëdhënieve në mes shteteve.

Murat ALIU, Prilep

Një vështrim i shkurtër mbi historikun e shtetit shqiptar me aleatët e tij!

Ekziston një bindje se shqiptarët janë një popull që, përgjatë historisë, shpeshherë kanë ditur të bashkërendohen pas të fuqishmit dhe të fortit dhe kështu t’i ndryshojnë aleatët ose orientimin e tyre varësisht prej fuqisë së tyre. Kjo ide shpeshherë përflitet jo për t’u përshkruar shqiptarëve një virtyt dhe atribut pozitiv, por edhe negativ. Në këtë kontekst, shqiptarët shpeshherë perceptohen dhe përshkruhen si një popull i dhënë pas pasionit për pushtet edhe si një popull me një psikologji “skllavërie”, një popull i cili ka shkuar deri në vetëmohim. Nga ana tjetër, ekziston edhe antiteza e kësaj ideje, sipas së cilës shqiptarët, përgjatë historisë, kanë ditur të jenë pragmatistë në kuptimin pozitiv dhe racionalë, të cilët – duke qenë të vetëdijshëm për pafuqinë e tyre dhe duke u udhëhequr nga instinkti për të mbijetuar – kanë ditur të rreshtohen pas të fortit me qëllim të sigurimit të mbijetesës së tyre. Është e vërtetë që shqiptarët përgjatë historisë së tyre për arsye të ndryshme i kanë ndryshuar aleatët e tyre dhe, bashkë me këtë, edhe orientimin e tyre vleror dhe qytetërimorë. Kështu ata u bënë aleatë herë të Lindjes e herë të Perëndimit.
Hysamedin Feraj, në librin e tij Skicë e mendimit politik shqiptar, shtron tezën se, historikisht, brenda shqiptarëve kanë mbizotëruar dy prirje sa u përket aleatëve të tyre: e para ka argumentuar që për shqiptarët më me interes janë aleancat me vendet jashtëballkanike, sepse kështu tokat shqiptare rrezikoheshin më pak nga pushtimi. Ndërkaq, sipas prirjes së dytë, shqiptarët duhet të ndërtojnë dhe lidhin aleanca me shtetet ballkanike kundër armikut të jashtëm, i cili zakonisht ishte një armik nga Lindja. Kjo ndarje, sipas Ferajt, u bë më e dukshme përgjatë shekullit XIX, atëherë edhe kur filluan përpjekjet për krijimin e një shteti të mëvetësishëm shqiptar. Krahu nacionalist, siç e quan Feraj, insistonte që shqiptarët të lidhnin aleanca me shtetet jashtëballkanike për t’i arritur qëllimet e tyre nacionale. Sipas tyre, vendet ballkanike paraqesin gjithmonë rrezik për Shqipërinë dhe shqiptarët vështirë mundë të gjejnë një aleat “besnik” në Ballkan. Ndërkaq, krahu tjetër, i cili pengesë për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar e shihte Perandorinë Osmane, ishte i prirë në aleancë me shtetet fqinjë ballkanike kundër Perandorisë Osmane.
Pas gjysmës së dytë të shekullit XIX, rilindësit dhe klasa e shquar politike nacionaliste shqiptare, në përpjekjet e saja për krijimin e shtetit të pavarur shqiptarë ose për fitimin e një autonomie brenda Perandorisë Osmane patën lidhur shpresa te vetë sulltani, edhe pse nuk e fituan kurrë këtë autonomi ose pavarësi. Rilindësit shqiptarë dhe politikanë të tillë si Ismail Qemali, me të kuptuar që Perandorisë i kishte ardhur fundi, filluan një përpjekje diplomatike me vende si Italia, e veçmas Austro-Hungaria, për t’i bindur ata që ta mbështesnin projektin për një shtet të pavarur shqiptar. Dhe, kështu ndodhi realisht. Italia, e veçmas Austro-Hungaria, luajti një rol vendimtar, si në propagandën për përhapjen e ndërgjegjes kombëtare në mesin e shqiptarëve, ashtu edhe në mbështetjen e saj në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, aty ku vendosej për fatin e Shqipërisë.
Më pas, në periudhën e qeverisjes së Ahmet Zogut, aleati kryesor i Shqipërisë ishte Italia. Madje, kjo aleancë me Italinë shndërroi Shqipërinë në një shtet pothuajse krejtësisht të varur nga ajo. Edhe pse Shqipëria pati leverdi të shumta nga kjo aleancë ose nga ky partneritet me Italinë, që kryesisht mbështetej në marrëdhëniet ekonomike, së fundmi Shqipëria e pësoi rëndë pikërisht nga Italia, pasi kjo e fundit në vitin 1939 pushtoi Shqipërinë.
Në periudhën e kohës komuniste, shqiptarët do të lidhin mbase aleancat më të çuditshme dhe të panatyrshme në historinë e tyre. Dalja e partizanëve si fitues nga Lufta e Dytë Botërore dhe sigurisht përkatësia e tyre ideologjike i përcaktoi “miqtë” ose aleatët e shqiptarëve për gati katër dekada. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria fillimisht do të bashkëpunojë ngushtë me Jugosllavinë dhe komunistët jugosllavë, ndërkaq pas vitit 1948, atëherë kur u prishën marrëdhëniet mes Stalinit dhe Titos, Shqipëria do të lidhë një aleancë të ngushtë me Bashkimin Sovjetik, e cila do të zgjasë deri në vitin 1961. Pas prishjes së marrëdhënieve me BRSS-në, aleati kryesor i Shqipërisë do të bëhet Kina.
Historiografia shqiptare argumenton se ndihmat financiare dhe kreditë e marra nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina luajtën një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe mirëqenien në Shqipëri, në modernizimin e vendit dhe në industrializimin e saj. Por, parë nga prizmi i një nacionalisti, aleancat më këto vende nuk u sollën asgjë të mirë shqiptarëve. Bashkëpunimi në vitet e para me Jugosllavinë (1945-48) i pamundësoi Shqipërisë që ta bëjë edhe hapin më të vogël për çlirimin e tokave shqiptarë të okupuara nga Serbia dhe Jugosllavia. Madje, kjo aleancë, për më tepër kjo varësi e Shqipërisë ndaj Jugosllavisë, shkoi aq larg, saqë u përfol edhe përfshirja e Shqipërisë në federatën jugosllave. Ndërkaq nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina nuk mund të pritej asgjë në këtë drejtim. BRSS-ja historikisht ka pasur një marrëdhënie të veçantë me sllavët e jugut, respektivisht me serbët, ndërsa Kina ishte pothuajse indiferente ndaj këtyre çështjeve. Ç’është e vërteta, nuk është që edhe regjimi enverist ishte i interesuar për një gjë të tillë.
Ndërkaq, parë nga këndvështrimi ideologjik dhe vleror, periudha komuniste dhe aleatët e shqiptarëve në këtë periudhë duken si më të panatyrshmit e mundshëm. Shqiptarët kurrë më parë nuk kishin pasur pothuajse asnjë lidhje historike, kulturore, por edhe gjeografike, me sovjetikët, aq më pak me kinezët. Para Luftës së Dytë Botërore dhe para instalimit të regjimit enverist, komunizmi dhe e majta ishte pothuajse e panjohur për shqiptarët. Për të qenë më të saktë, përkatësia ideologjike kurrë nuk ishte e rëndësishme për shqiptarët. Në këtë pikë ajo që mund të thuhet është se në mesin e shqiptarëve ka mbizotëruar një ndërgjegje nacionaliste, edhe pse edhe ky fakt mund të vendoset në pikëpyetje.
Pas shembjes së komunizmit, shqiptarët pas një “kohe shumë të gjatë”, sërish i gjetën aleatët e tyre të “vërtetë”, amerikanët dhe europianët. Në këtë pikë, kur thuhet “të vërtetë” mendohet në aleatë, me ndihmën e të cilëve shqiptarët arritën disa objektiva jetësore për veten e tyre. Kështu aleanca me Perëndimin ose me vendet perëndimore shqiptarëve në vitin 1999 do t’ua sjellë çlirimin e Kosovës nga regjimi i Millosheviqit, që u pasua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është ngjarja më madhështore dhe më e rëndësishme për shqiptarët pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët perëndimorë, në vitin 2001 në Maqedoni u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit, përmes së cilës u përmirësua dukshëm gjendja e përgjithshme e shqiptarëve në këtë vend. Njësoj edhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2008 ishte fryt i kësaj aleance të Shqipërisë me Perëndimin.
Sot, në saje të këtyre marrëdhënieve të ngushta të shqiptarëve më Perëndimin, Shqipëria është në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në BE, kurse Kosova ngadalë, por sigurt, po hapëron drejt plotësimit të shtetësisë dhe anëtarësimit nëpër organizatat e ndryshme ndërkombëtare, kryesisht perëndimore. Edhe shqiptarët e Maqedonisë, mbase jo në një nivel të kënaqshëm, sot gëzojnë shumë më shumë liri dhe barazi se para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Nuk ka aleatë të përjetshëm. Vetëm Shqipëria është e “përjetshme”

“Miqësia është raport egalitar” thoshte Aristoteli. Miqësia ekziston vetëm ndërmjet dy të barabartëve. Ky parim a premisë kryesisht vlen në raportet ndërpersonale. Ndërkaq, në marrëdhëniet ndërshtetërore vështirë që mund të flitet për një marrëdhënie ndërmjet dy të barabartëve ose për miqësi në kuptimin që ne sot e kuptojmë. Kështu, meqenëse aleancat mes shteteve ose kombeve ndërtohen kryesisht mbi “raporte asimetrike”, në bazë të masës së fuqisë që e posedojnë shtetet dhe për interesa të përbashkëta të shteteve, nuk ekzistojnë aleatë ose miq të përjetshëm. Ekzistojnë vetëm interesa të përjetshme të shteteve. Këtë parim në marrëdhëniet ndërmjet shteteve më së miri e përshkruante Lordi Palmersotn, ish kryeministër i Britanisë së Madhe, kur tha: “Anglia nuk ka miq dhe armiq të përjetshëm. Ka vetëm interesa të përhershme”. Në këtë këndvështrim, aleancat mes shteteve askurrë nuk duhet nënkuptuar si miqësi e përjetshme dhe absolute. Aleancat janë relative. Ato bashkekzistojnë përderisa ekziston një interes i përbashkët i shteteve. Në atë moment që ndryshojnë interesat kombëtare të shteteve, aty mbaron edhe “miqësia” ose aleanca ndërmjet tyre. Kjo në marrëdhëniet ndërkombëtare pak a shumë quhet realizëm politik.

Kush janë apo kush do duhej të ishin aleatët e shqiptarëve sot?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, së pari duhet theksuar se ka dallim nga periudha e Luftës së Ftohtë, kur mbizotëronte sistemi bipolar, pra kur bota ishte ndarë në dy kampe – në njërën anë ishte kampi perëndimor, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në anën tjetër ishte kampi lindor, i udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Sot bota është multipolare. Pra, sot në botë ekzistojnë dy e më shumë fuqi botërore ose rajonale, të cilat e kanë ndryshuar thellësisht paradigmën bipolare të sistemit ndërkombëtar. Duke qenë kështu, sot është e pamundur të flasësh për një botë të ndarë në dy kampe, ku aleancat lidhen vetëm me shtetet e njërit bllok. Bota multipolare e imponon nevojën që shtetet, veçmas shtetet e vogla, të krijojnë aleanca ose marrëdhënie me shtete të ndryshme, me qëllim të realizimit sa më efektiv të interesave të tyre kombëtare ose shtetërore. Por, megjithatë, duhet thënë që në praktikë kjo qasje, e cila më shumë ngelet teorike sesa praktike, është e pamundur të jetësohet plotësisht. Pra, edhe përkundër asaj se sot konteksti gjeopolitik imponon nevojën për krijimin e aleancave të shumta të shteteve, sërish shtetet janë të kufizuara në bashkëpunimin mes tyre.
Duke u nisur nga kjo që u tha, duhet thënë që parimisht aleatë të shqiptarëve janë të gjithë ato shtete të cilat janë miqësore dhe përmes të cilave mund të realizojnë çfarëdo lloj interesi, qoftë ai ekonomik ose politik. Por, duke i parë rrethanat dhe kontekstin gjeopolitik në botë dhe në Ballkan, aleanca e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Europës është jetike. Kjo për disa arsye:
• Së pari, shqiptarët jetojnë në Ballkan, gadishull ky gjeografikisht pjesë e Europës dhe i pandashëm nga ajo. Gjeografikisht, të qenit pjesë e Europës imponon bashkëpunim të domosdoshëm mes shteteve europiane. Në këtë pikë gjeografia del si përcaktuese e krijimit të marrëdhënieve mes shteteve.
• Së dyti, Perëndimi akoma është fuqia më e madhe ushtarake në botë. Aleanca perëndimore e posedon fuqinë më të madhe dhe mekanizmat më të fuqishëm ushtarakë, andaj të qenit pjesë e këtij “klubi”, ku marrin pjesë shtetet perëndimore, përkatësisht të qenit pjesë e NATO-s, nënkupton plotësimin e nevojës primare të çdo shteti dhe qenie njerëzore – sigurinë. Sot, kur bota përballet me agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, me një potencial për shpërthim të një lufte të përgjakshme në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe botës myslimane, me pasiguri të shumta e akte terroriste, aleanca me shtetet perëndimore dhe shtetet anëtare të NATO-s dhe anëtarësia në vetë NATO-n paraqet një kusht të domosdoshëm për sigurinë e shqiptarëve. Për shqiptarët, aleanca me vendet perëndimore dhe NATO-n bëhet akoma më e domosdoshme kur e dimë që në Ballkan kemi një Serbi, satelite e Rusisë, e cila në çdo moment mund të hapë një vatër lufte në Ballkan, duke e sulmuar Kosovën dhe kështu duke e destabilizuar gjithë Ballkanin.
• Së treti, Perëndimi akoma është fuqia më e madhe ekonomike në botë. Duke qenë tregu më i madh në botë dhe duke e kontrolluar pjesën më të madhe të kapitalit botëror, shqiptarët – ashtu si deri më tani siç kanë përfituar nga marrëdhëniet ekonomike me vendet perëndimore – edhe më tej do të mund të përfitojnë nga ky treg kaq i madh dhe nga investimet e ardhura nga këto vende. Në këtë kontekst, bashkëpunimi në fushën ekonomike paraqet një mundësi të mirë për krijimin e mirëqenies ekonomike dhe sociale të shqiptarëve.
• Së katërti, aleanca me Perëndimin është e domosdoshme edhe nga këndvështrimi i vlerave politike, kulturore e morale, që ne si shqiptarë i synojmë. Qytetërimi perëndimor, pavarësisht të gjithë mangësive që mund t’i ketë, sërish është sinonim i shtetit ligjor, demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, barazisë e të ngjashme. Në këtë këndvështrim, jetësimi dhe zbatimi i plotë i vlerave qytetëruese perëndimore në shoqërinë shqiptare, siç është demokracia, liria, barazia, shteti ligjor, zhvillimi ekonomik etj., kryekëput varet nga marrëdhëniet tona me vendet perëndimore.
Por, edhe përkundër të gjithave këtyre që u thanë, duhet parashtruar pyetja se a nënkupton që kjo aleancë e shqiptarëve me Perëndimin duhet të jetë e pakushtëzuar dhe, si e tillë, a është e përjetshme. Ashtu siç u argumentua më herët, aleancat mes shteteve në rend të parë krijohen për të realizuar interesat kombëtare e shtetërore të vetë aktorëve, gjë që nënkupton që në këtë marrëdhënie ekziston një racionalitet politik dhe ekonomik. Duke qenë kështu, shqiptarët gjithmonë në lidhjen e aleancave me shtetet duhet të udhëhiqen nga interesi kombëtar.
Kam përshtypjen që sot nga shumëkush marrëdhëniet e shqiptarëve me aleatët perëndimorë kundrohen si marrëdhënie të njëanshme, ku nga shqiptarët pritet ta luajnë rolin e “fëmijës së urtë”, që vepron sipas asaj që i urdhërohet dhe që nuk reagon kur i bëhet ndonjë padrejtësi. Shumëkush sot këto marrëdhënie i koncepton dhe i projekton si marrëdhënie mes subjektit dhe objektit. Subjekti vepron, flet dhe vendos, ndërkaq objekti i nënshtrohet plotësisht vullnetit të subjektit.
Kjo nuk duhet nënkuptuar si një iluzion dhe naivitet në kuptimin e të besuarit që marrëdhëniet ndërkombëtare gjithmonë funksionojnë duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare ose sipas parimeve morale e etike. Sigurisht që marrëdhëniet mes shteteve përcaktohen nga pushteti dhe gjithmonë i fuqishmi është ai që i vendos rregullat e lojës. Megjithatë, ky fakt nuk nënkupton që aleati më “i dobët” duhet t’i nënshtrohet plotësisht vullnetit të fuqishmit ose duhet të qëndrojë “urtë” atëherë kur atij i bëhet ndonjë padrejtësi. Në këtë kontekst, sot lidershipi shqiptar duhet të jetë i kujdesshëm në mbrojtjen e interesave shtetërore. Ai duhet ta kuptojë që aleancat konsistojnë në një raport reciprok të shteteve, të cilët realizojnë një interes të caktuar. Së këndejmi, nuk është që mbështetja e aleatëve tanë perëndimorë është e privuar nga ky racionalitet dhe se ata nuk përfitojnë nga aleanca me shqiptarët. /revistashenja

Exit mobile version