Ballina Lajmet Kosovë Numërohen mbi 30 për qind e votave me kusht, VV-ja në krye

Numërohen mbi 30 për qind e votave me kusht, VV-ja në krye

Numërimi i votave me kusht po vazhdon, derisa deri më tani janë numëruar 31.58 për qind e tyre.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë bindshëm në këtë proces.

Nga votat e numëruara deri tash, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 49.81 për qind të votave, përkatësisht 1,313 vota.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind apo 539 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës zë vendin e tretë me 11.65 për qind apo 307 vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e katërta me 8.95 për qind, respektivisht 236 vota.

Ndërkohë, nga rezultatet e përmbledhura të votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke fituar edhe një deputet shtesë në Kuvend.

Kjo rritje i ka marrë një mandat Partisë Demokratike të Kosovës, e cila aktualisht ka 20.43 për qind të votave.

Sipas këtyre rezultateve, nga 56 deputetë sa parashihej në rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje pritet të sigurojë 57 deputetë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës 22 deputetë nga 23 sa kishte më parë.

Exit mobile version