Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) tha sot se dënon fuqimisht atë që e përshkroi si “masa koloniale” të Izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe bëri thirrje për veprime urgjente ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Në një postim në kompaninë amerikane të mediave sociale X, OBI tha se Sekretariati i saj i Përgjithshëm paralajmëroi për “një sërë hapash të paligjshëm” të ndërmarrë nga autoritetet izraelite, së fundmi fillimi i procedurave për të përcaktuar tokën në Bregun Perëndimor të pushtuar si “pronë shtetërore”.
OBI tha se masat synojnë të thellojnë kontrollin, të forcojnë vendbanimet dhe aneksimin, të ndryshojnë statusin ligjor, politik dhe demografik të territorit të pushtuar palestinez dhe të minojnë zgjidhjen me dy shtete.
OBI hodhi poshtë fuqimisht vendimet e Izraelit, duke thënë se ato kërcënojnë ekzistencën e popullit palestinez dhe shkelin të drejtat e tij legjitime. Këto të drejta përfshijnë të drejtën për vetëvendosje dhe për të krijuar një shtet të pavarur sovran brenda kufijve që ekzistonin para luftës së vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytetin e tij.
Masat konsiderohen “të pavlefshme” sipas ligjit ndërkombëtar dhe rezolutave përkatëse të OKB-së, përfshirë Rezolutën 2334 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha organizata.
OBI përsëriti thirrjen e saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Këshillit të Sigurimit, që të ndërhyjë menjëherë për të detyruar Izraelin, të cilin e përshkroi si fuqi pushtuese, të ndërpresë ato që i quajti veprime të paligjshme dhe të sigurojë llogaridhënie për krimet dhe shkeljet kundër popullit palestinez, territorit të tij dhe vendeve të shenjta.
Deklaratat erdhën një ditë pasi qeveria izraelite miratoi një propozim për të regjistruar tokën palestineze në Bregun Perëndimor si “pronë shtetërore”, duke shënuar herën e parë që kjo masë ligjore formale është përdorur në territorin nën kontrollin izraelit.
Transmetuesi publik i Izraelit raportoi se propozimi u paraqit nga ministri i Financave Bezalel Smotrich, ministri i Drejtësisë Yariv Levin dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz. Televizioni izraelit “Channel 7” raportoi se masa përfshin hapjen e procedurave të ngrira më parë të regjistrimit të tokës, anulimin e legjislacionit të vjetër jordanez dhe zbulimin e të dhënave të tokës që kishin mbetur konfidenciale për dekada.
Palestinezët i shohin masat si një fillim për aneksimin formal të Bregut Perëndimor dhe një hap drejt aneksimit “de facto” të pjesëve të mëdha të territorit, lëvizje që ata thonë se do të minojnë kuadrin e zgjidhjes me dy shtete të miratuar nga OKB-ja.
