Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OBI-ja mirëpret paktin “historik” të mbrojtjes së përbashkët Turqi-Arabi Saudite-Pakistan

OBI-ja mirëpret paktin “historik” të mbrojtjes së përbashkët Turqi-Arabi Saudite-Pakistan

Sekretari i Përgjithshëm i OBI-së, Hissein Brahim Taha

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) mirëpriti të premten nënshkrimin e Marrëveshjes së Përbashkët të Mbrojtjes së Mekës mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit, transmeton Anadolu.

Sekretari i Përgjithshëm i OBI-së, Hissein Brahim Taha, shprehu “vlerësim dhe mbështetje të fortë” për marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një “hap të rëndësishëm strategjik” që pasqyron angazhimin e tri vendeve për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, sipas një deklarate të organizatës.

Taha tha se marrëveshja përbën “një shtyllë themelore për mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe në të gjithë botën myslimane”.

Ai shtoi se ajo mishëron vendosmërinë e përbashkët për t’iu përgjigjur sfidave në rritje të sigurisë dhe për të forcuar solidaritetin dhe partneritetet konstruktive mes shteteve anëtare të OBI-së.

Kreu i OBI-së vlerësoi gjithashtu përpjekjet dhe udhëheqjen e tri vendeve që çuan në nënshkrimin e asaj që ai e cilësoi si “marrëveshje historike”.

Ai shprehu shpresën se pakti do të kontribuojë në arritjen e paqes dhe prosperitetit në rajon dhe në komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi.

Të premten, Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani nënshkruan një marrëveshje të përbashkët të mbrojtjes në një samit trepalësh në Mekë, duke u zotuar të forcojnë sigurinë kolektive, të thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të promovojnë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.

Marrëveshja e Mbrojtjes së Përbashkët e Mekës u nënshkrua nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dhe Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, gjatë samitit të zhvilluar në Pallatin Al-Safa.

Sipas informacioneve të siguruara nga zyrtarë turq, pakti është një marrëveshje bashkëpunimi e orientuar drejt mbrojtjes, e cila nuk ka në shënjestër asnjë shtet dhe synon të forcojë angazhimet për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal dhe global përmes ndarjes së barrës dhe një qasjeje të përbashkët ndaj sigurisë.

Zyrtarët shtuan se marrëveshja synon të forcojë parandalimin kolektiv ndaj çdo akti agresioni dhe përcakton se një sulm i armatosur ndaj cilitdo prej tri vendeve do të konsiderohet si sulm ndaj të treve.

Exit mobile version