Paralajmërimet për një flamë: Përhapje si Covid!
Një variant i ri i gripit sezonal po i vë sistemet e kujdesit shëndetësor në të gjithë Evropën nën një presion të rëndë, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Sipas të dhënave të OBSH-së, të paktën 27 nga 38 vendet në rajonin evropian po regjistrojnë nivele të larta ose shumë të larta të aktivitetit të gripit. Në gjashtë vende, përfshirë Irlandën, Serbinë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se gjysma e pacientëve me simptoma të ngjashme me gripin kanë rezultuar pozitivë.
OBSH thotë se sezoni i gripit të këtij viti filloi rreth katër javë më herët se vitet e kaluara dhe u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen, të qëndrojnë në shtëpi nëse janë të sëmurë dhe të mbajnë maskë në publik nëse kanë simptoma të frymëmarrjes.
Përhapja e infeksioneve po nxitet nga një variant i ri i gripit sezonal A (H3N2), nëntipi K, i cili përbën deri në 90 përqind të të gjitha rasteve të konfirmuara të gripit në rajonin evropian. Megjithatë, OBSH-ja thekson se deri më tani nuk ka prova që ky variant shkakton një formë më të rëndë të sëmundjes.
Drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Henri Kluge, tha se sezoni i gripit të këtij viti është specifik.
“Gripi ndodh çdo dimër, por këtë vit po shohim se si edhe një ndryshim i vogël gjenetik në virus mund të shkaktojë presion të madh në sistemet shëndetësore”, tha Kluge.
Ai gjithashtu paralajmëroi për rrezikun e dezinformimit, duke theksuar se është e rëndësishme të mbështetemi në burime të besueshme si institucionet kombëtare shëndetësore dhe OBSH-ja.
Të dhënat e hershme nga Mbretëria e Bashkuar tregojnë se vaksina kundër gripit zvogëlon rrezikun e formave të rënda të sëmundjes së shkaktuar nga varianti i ri, megjithëse mund të mos e parandalojë plotësisht infeksionin. OBSH-ja thekson se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme parandaluese, veçanërisht për të moshuarit, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, fëmijët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Gjithashtu thuhet se fëmijët në moshë shkollore janë nxitësit kryesorë të përhapjes së gripit në komunitet, ndërsa shumica e rasteve të rënda që kërkojnë shtrim në spital janë njerëz mbi 65 vjeç.
OBSH-ja pret që kulmi i sezonit të gripit të jetë në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit. Edhe pse situata është serioze, Kluge thekson se nuk mund të krahasohet me krizën globale të shkaktuar nga pandemia Covid-19.
Shërbimet shëndetësore në disa vende evropiane tashmë po regjistrojnë një rritje të ndjeshme të rasteve. Në Mbretërinë e Bashkuar, NHS po paralajmëron për një nga dimrat më të ashpër deri më tani, ndërsa Gjermania, Franca, Spanja, Rumania dhe Hungaria po regjistrojnë gjithashtu një rritje të ndjeshme të numrit të rasteve dhe shtrimeve në spital, shkruan The Guardian. /tesheshi
