“Vetmia, frika nga infeksioni, vuajtja dhe vdekja për veten dhe për të dashurit, pikëllimi pas humbjes dhe shqetësimet financiare janë përmendur gjithashtu si stresorë që çojnë në ankth dhe depresion”, sipas OBSH-së.
Prevalenca globale e ankthit dhe depresionit është rritur me një normë masive prej 25 për qind në vitin e parë të pandemisë COVID-19, ku të rinjtë kanë qenë më të goditurit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), transmeton Anadolu Agency (AA).
Një raport i OBSH-së ka hedhur dritë mbi personat më të prekur nga pandemia dhe zbuloi se njerëzit me çrregullime mendore më të rënda, si psikozat, dhe të rinjtë me çrregullime mendore, janë veçanërisht të rrezikuar.
OBSH tha se raporti përfshin vlerësime nga studimi i fundit i Barrës Globale të Sëmundjeve, i cili tregon se pandemia ka ndikuar në shëndetin mendor të të rinjve dhe se ata janë “në mënyrë disproporcionale” në rrezik të sjelljeve vetëvrasëse dhe vetëdëmtuese.
“Informacioni që kemi tani për ndikimin e COVID-19 në shëndetin mendor të botës është vetëm maja e ajsbergut”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Kjo është një thirrje zgjimi për të gjitha vendet që t’i kushtojnë më shumë vëmendje shëndetit mendor dhe të bëjnë një punë më të mirë për të mbështetur shëndetin mendor të popullatës së tyre”, shtoi Tedros.
Raporti gjithashtu tregon se gratë janë prekur më rëndë se burrat.
Njerëzit me gjendje paraekzistuese të shëndetit fizik, si astma, kanceri dhe sëmundjet e zemrës, kishin më shumë gjasa të zhvillonin simptoma të çrregullimeve mendore, tha ai.
Raporti përmbledh efektin e pandemisë në disponueshmërinë e shërbimeve të shëndetit mendor dhe se si kjo ka ndryshuar gjatë pandemisë.
Shqetësimet rreth rritjeve të mundshme në çrregullimet e shëndetit mendor kishin shtyrë tashmë 90 për qind të vendeve të anketuara të përfshijnë shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale në planet e tyre të reagimit ndaj COVID-19, por mbeten boshllëqe të konsiderueshme.
Një shpjegim kyç këtë rritje është stresi i paprecedentë i shkaktuar nga izolimi social i shkaktuar nga pandemia.
Të lidhura me këtë ishin kufizimet në aftësinë e njerëzve për të punuar, për të kërkuar mbështetje nga të dashurit dhe për t’u angazhuar në komunitetet e tyre.
“Vetmia, frika nga infeksioni, vuajtja dhe vdekja për veten dhe për të dashurit, pikëllimi pas humbjes dhe shqetësimet financiare janë përmendur gjithashtu si stresorë që çojnë në ankth dhe depresion”, sipas OBSH-së.
Lodhja ka qenë një shkaktar i rëndësishëm për të menduarit vetëvrasës midis punonjësve shëndetësorë, tha organizata.
OBSH theksoi se të dhënat sugjerojnë se njerëzit me çrregullime mendore paraekzistuese nuk duket të jenë në mënyrë disproporcionale të prekshëm ndaj infeksionit COVID-19.
Megjithatë, shtoi ai, kur këta njerëz infektohen, ata kanë më shumë gjasa të vuajnë nga shtrimi në spital, sëmundje të rënda dhe vdekje sesa njerëzit pa çrregullime mendore. /aa
