Ballina Lajmet Kosovë OEK: Votimi i demarkacionit hap mundësi për bizneset vendore

OEK: Votimi i demarkacionit hap mundësi për bizneset vendore

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Përmes një komunikate dërguar mediave, kjo odë ka vlerësuar se miratimi i marrëveshjes hap rrugë për Kosovën në shumë fusha të reja, e në veçanti në zhvillimin ekonomik, duke përfshirë këtu ekonominë e lirë dhe tregun e hapur, bazuar në lëvizje të lirë të mallrave, shërbimeve dhe qytetarëve.

“Nevoja për ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë vendore është urgjente me qëllim të përshpejtimit të proceseve integruese, përmbushje të kritereve në rrugëtimin evropian si dhe reformat e shumta institucionale brenda Kosovës Votimi i djeshëm i demarkacionit për Kosovën do të thotë shumë, pasi që po i hapet një dritare e re për bashkëpunim dhe avancim të të gjitha proceseve. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, vendosën që të shohin nga e ardhmja. Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që i thanë po ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, kontribuan në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e OEK.

Sipas tyre, përfituesit më të mëdhenj janë bizneset e Kosovës që gati për dy dekada me radhë janë ndeshur me shumë probleme që kanë të bëjnë me vizat.

Megjithatë, kjo odë bën thirrje që të kuptohet se vet votimi i Demarkacionit nuk është një shkop magjik i zgjidhjes së problemeve.

“Por, duhet te kuptohet se vet votimi i ratifikimit të Demarkacionit nuk është një shkop magjik I zgjidhjes së problemeve të grumbulluara në veçanti në tri vitet e fundit sepse na presin sfida të rëndësishme, sidomos sundimi i rendit dhe ligjit, reforma të administratës publike, zhvillimi ekonomik dhe social, kriteret në rrugëtimin integrues dhe mbi te gjitha angazhim substancial në ndryshimin e percepcionit të krijuar për Kosovën dhe përmirësimin e imazhit të saj”, thuhet në fund të komunikatës.

Exit mobile version