Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se qasja në ushqim në Rripin e Gazës është përmirësuar ndjeshëm pas marrëveshjes së armëpushimit të 10 tetorit, por paralajmëron se civilët vazhdojnë të jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira.
Përfaqësuesi i WFP-së për Palestinën, Antoine Renard, tha se rrjetet e shpërndarjes së ushqimit janë tashmë plotësisht funksionale dhe se mbi një milion njerëz kanë marrë pako ushqimore dhe miell gruri. Sipas tij, shumica e banorëve tani arrijnë të konsumojnë mesatarisht dy vakte në ditë.
Megjithatë, Renard theksoi se ushqimi nuk mjafton për të përmirësuar jetën e përditshme të banorëve. Ai nënvizoi mungesën e infrastrukturës për gatim, duke shtuar se rreth 90 për qind e mjeteve për gatim janë vetëm mbeturina dhe dru.
Sipas OKB-së, pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi dy muaj më parë, kushtet e jetesës në Gaza mbeten shumë të rënda, pasi Izraeli vazhdon të kufizojë hyrjen e ndihmave humanitare, në kundërshtim me marrëveshjen.
