Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OKB-ja: Vitin e kaluar u parandaluan pesë atentate ndaj presidentit sirian

OKB-ja: Vitin e kaluar u parandaluan pesë atentate ndaj presidentit sirian

Raporti i 22-të i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së paralajmëron se DAESh-i mbetet aktiv në Siri pavarësisht përpjekjeve kundër terrorizmit.

Pesë atentate të planifikuara kundër presidentit sirian Ahmad Al-Sharaa dhe dy anëtarëve të lartë të kabinetit u penguan vitin e kaluar, sipas vlerësimit më të fundit të OKB-së mbi kërcënimin që paraqet DEASh-i

Detajet janë përfshirë në raportin e 22-të të sekretarit të përgjithshëm mbi kërcënimin që DEASh paraqet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, i përgatitur në koordinim me Zyrën e OKB-së për Kundërterrorizëm, raportoi të mërkurën The Washington Post.

Al-Sharaa u identifikua si objektiv prioritar, së bashku me ministrin e Brendshëm Anas Khattab dhe ministrin e Jashtëm Asaad al-Shaibani, thuhet në raport.

Dy komplote për vrasjen e presidentit u organizuan në qytetet Halep dhe Daraa nga Saraya Ansar al-Sunnah, një grup që nuk figuron në listën e OKB-së, por që vlerësohet se vepron si front për DEASh-in. Kjo skemë i siguronte grupit mohueshmëri të besueshme, ndërsa njëkohësisht rritte kapacitetin e tij operacional, tha raporti.

Pavarësisht operacioneve të vazhdueshme kundër terrorizmit, situata e sigurisë në Siri mbetet e brishtë, thuhet në raport, me qeliza të DEASh-it që vazhdojnë të veprojnë në gjithë vendin.

Sulmet janë drejtuar kryesisht kundër forcave të sigurisë, veçanërisht në veri dhe verilindje, përfshirë edhe një sulm që kishte në shënjestër forcat e koalicionit të udhëhequra bashkërisht nga Siria dhe ShBA-ja.

DEASh-i ka tentuar gjithashtu të nxisë tensione sektare për të dobësuar autoritetet kombëtare, përfshirë organizimin e sulmeve ndaj vendeve të kultit, thuhet në raport.

Rreth 3.000 luftëtarë të DEASh-it vlerësohet se mbeten aktivë në Irak dhe Siri, me shumicën e tyre të vendosur në Siri.

Edhe pse shkretëtira siriane ruan rëndësi strategjike, ajo nuk përbën më bastionin kryesor të grupit, shton raporti.

Pavarësisht goditjeve operative, DEASh-i vazhdon të ketë si qëllimin ashtu edhe kapacitetin për të kryer sulme dhe për të shfrytëzuar ndarjet politike dhe sektare, paralajmërohet në raport.

Siria iu bashkua zyrtarisht koalicionit kundër DEASh-it në nëntor të vitit të kaluar. I formuar në vitin 2014, koalicioni ka kryer operacione ushtarake kundër grupit terrorist në Siri dhe Irak, megjithëse Damasku më parë nuk ishte anëtar.

Që nga rënia e regjimit të Bashar al-Asadit në fund të vitit 2024, administrata e re siriane ka punuar për të forcuar kushtet e sigurisë në mbarë vendin.

Exit mobile version