Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OKB nis apel për 98 milionë dollarë për të mbështetur Venezuelën e...

OKB nis apel për 98 milionë dollarë për të mbështetur Venezuelën e goditur nga tërmetet

Agjencia e OKB-së për migracionin ka nisur një apel për 98 milionë dollarë për të mbështetur njerëzit e prekur nga tërmetet shkatërruese që goditën Venezuelën më 24 qershor, transmeton Anadolu.

Agjencia tha se apeli për financim do të mbështesë përgjigjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) gjatë 12 muajve të ardhshëm, duke ofruar strehim emergjent, ndihmë jetike, kujdes shëndetësor dhe mbështetje për rimëkëmbjen e hershme si dhe duke ndihmuar komunitetet e prekura të rindërtohen.

“Populli i Venezuelës ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, por rimëkëmbja do të kërkojë kohë dhe mbështetje të vazhdueshme”, tha Lia Poggio, shefja e misionit të agjencisë në Venezuelë.

Tërmetet dhe pasgoditjet shkaktuan shkatërrime të mëdha në shtetet La Guaira, Distrito Capital, Miranda, Carabobo, Aragua dhe Falcon, duke zhvendosur mijëra familje dhe duke dëmtuar shtëpi, objekte shëndetësore, sisteme të furnizimit me ujë dhe infrastrukturë tjetër kritike.

Që nga fatkeqësia, IOM-i tha se ka bashkëpunuar me autoritetet venezueliane, agjencitë e OKB-së dhe partnerët humanitar për menaxhimin e strehimoreve kolektive, ofrimin e ndihmës shëndetësore dhe mbrojtëse, si dhe mbështetjen e familjeve të zhvendosura.

Agjencia tha se deri më tani ka ndihmuar gati 6.000 persona në strehimoret kolektive nën koordinimin e saj dhe ka ofruar më shumë se 10.000 shërbime, përfshirë akomodim të përkohshëm, kujdes shëndetësor dhe ndihmë për mbrojtje.

Sipas agjencisë, apeli i jep përparësi strehimit, koordinimit të vendstrehimeve, shëndetësisë dhe rimëkëmbjes së hershme, duke synuar që komunitetet e prekura të mbeten në qendër të përpjekjeve për rimëkëmbje.

Exit mobile version