Me afrimin e dimrit, situata humanitare në Rripin e Gazës vazhdon të përkeqësohet, paralajmëron Organizata e Kombeve të Bashkuara. Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se kushtet mbeten tepër të rënda ndërsa luftimet e vazhdueshme po pengojnë shpërndarjen e ndihmave dhe po rrisin zhvendosjen e civilëve si në Gaza ashtu edhe në Bregun e Okupuar.
Sipas tij, OCHA dhe partnerët e saj humanitarë po rrisin shpërndarjen e ndihmave për civilët, veçanërisht fëmijët që kanë vuajtur nga dy vite të agresionit izraelit. Në dy muajt e fundit janë shpërndarë dhjetëra mijëra artikuj dimërorë, ndërsa vetëm në 10 ditët e fundit të nëntorit u vendosën 160 tenda aktivitetesh për mbështetje psikologjike dhe sociale të fëmijëve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë evakuoi 18 pacientë dhe 54 shoqërues për trajtim jashtë Gazës, por mbi 16,500 persona ende kanë nevojë për kujdes shpëtim-jete. OKB-ja përsëriti thirrjen për hapjen e të gjitha pikave kufitare dhe korridoreve humanitare, si dhe lejimin e ekipeve mjekësore ndërkombëtare të hyjnë në territor.
OKB-ja raportoi gjithashtu bombardime dhe të shtëna në të pesë rajonet e Gazës gjatë 24 orëve të fundit.
Në Bregun e Okupuar, OKB-ja shprehu shqetësim për operacionet e fundit të forcave izraelite në Tubas dhe Xhenin, ku është raportuar zhvendosja e dhjetëra familjeve palestineze, dëme në rrjetet e ujit dhe mbyllja e bizneseve lokale. Në dy ditët e fundit, dhjetëra familje janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat janë kthyer në pika vrojtimi ushtarake. /mesazhi
