Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OKB paralajmëron se përmbytjet kërcënojnë 40 për qind të Gazës

OKB paralajmëron se përmbytjet kërcënojnë 40 për qind të Gazës

OKB-ja ka paralajmëruar se përmbytjet e mëdha në qindra lokacione të të zhvendosurve në Rripin e Gazës po e vendosin pothuajse gjysmën e popullsisë së territorit në rrezik të shtuar, teksa shirat e rrëmbyeshëm përkeqësojnë kushtet tashmë të tmerrshme, transmeton Anadolu.

“Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur tenda, kanë lagur sendet e njerëzve dhe kanë rritur rreziqet shëndetësore, duke përfshirë hipoterminë tek foshnjat dhe sëmundjet e lidhura me tejmbushjen e ujërave të zeza”, tha në një konferencë për media Farhan Haq, zëdhënësi i OKB-së, duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

“Sot, ekipet tona në terren ngritën një sistem për një reagim të shpejtë të përbashkët ndaj alarmeve për përmbytje”, tha ai, duke shtuar se agjencitë e OKB-së, së bashku me organizatat joqeveritare, ishin të përfshira në shpërndarjen e tendave, mbulesave plastike, rrobave të ngrohta dhe batanijeve në të gjithë Gazën.

Ai gjithashtu tha se një sistem i reagimit të shpejtë të përbashkët në enklavë ka “përpunuar mbi 160 alarme përmbytjesh” që nga e enjtja në mëngjes.

Haq theksoi se partnerët e OKB-së në terren kanë ndihmuar familjet të përgatiten për përmbytjet duke shpërndarë thasë mielli bosh që do të përdoren si thasë me rërë, së bashku me mjete dhe rërë sa herë që ishte e mundur.

“Bazuar në analizën e tyre të rrezikut të përmbytjeve, më shumë se 760 vende të zhvendosjes, që strehojnë afër 850 mijë njerëz, janë në rrezikun më të lartë të përmbytjeve”, tha Haq.

“Kjo është rreth 40 për qind e popullsisë së Gazës”, shtoi ai.

Exit mobile version