Situata humanitare në Gaza vazhdon të jetë shumë e rëndë, pavarësisht disa përmirësimeve të kufizuara, është paralajmërimi i dhënë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
I dërguari i lartë i Bordit të Paqes për Gazën, Nickolay Mladenov, deklaroi se shërbimet bazë funksionojnë vetëm pjesërisht, ndërsa sistemi shëndetësor ndodhet në prag kolapsi.
“Shërbimet thelbësore po operojnë në një pjesë shumë të vogël të kapacitetit të para luftës. Sistemi i kujdesit shëndetësor është në kolaps. Nuk ka ekonomi funksionale,” tha ai.
Mladenov theksoi tre prioritete urgjente, duke kërkuar që kalimi kufitar në Rafah të mbetet i hapur për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, pasi çdo kufizim pengon zbatimin e fazës së dytë të armëpushimit.
Ai shtoi se ndihmat humanitare aktuale nuk janë të mjaftueshme për përmasat e krizës dhe kërkoi rritjen e menjëhershme të numrit të kamionëve që hyjnë në Gaza. Gjithashtu, bëri thirrje për përshpejtimin e zgjidhjeve për strehim të përkohshëm, duke theksuar se mbi 2 milionë njerëz jetojnë në kushte të papërshtatshme.
Duke folur në të njëjtën seancë, i dërguari amerikan Mike Waltz pranoi se përpjekjet humanitare mbeten të pamjaftueshme.
“Ka ende shumë punë për t’u bërë,” tha ai, duke shtuar se SHBA po punon me partnerët për të përmirësuar qasjen e ndihmave në Gaza.
Sipas tij, megjithëse në muajt e fundit kanë hyrë mbi 4,000 kamionë ndihma në javë, këto shifra kanë rënë së fundmi, duke thelluar mungesat në terren. /mesazhi
