Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OKB thirrje për muslimanët e Arakanit

OKB thirrje për muslimanët e Arakanit

ANKARA (AA) – Zyrtari i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Volker Türk, ka bërë thirrje që të sigurohet kthimi në territoret e tyre në mënyrë të sigurtë, vullnetare dhe të vazhdueshme, për muslimanët e Arakanit të strehuar në Bangladesh për shkak të persekutimit në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave të Bangladeshit, Türk, gjatë vizitës së tij në Mianmar ka kryer takime me shumë zyrtarë të nivelit të lartë. Pasi ka vënë në dukje se muslimanët e Arakanit të strehuar në Bangladesh kanë të drejtën të kthehen në Mianmar, Türk ka ftuar qeverinë e Mianmarit që të sigurojë kthimin e këtyre personave në mënyrë të sigurtë, vullnetare dhe të vazhdueshme.

Ndër të tjera Türk ka tërhequr vëmendjen se dërgimi i ndihmave humanitare në Arakan është i kufizuar dhe se në Arakan duhet të lejohen ndihmat humanitare, në mënyrë që komunitetet në nevojë të marrin sa më parë ndihmë.

20 mijë muslimanë të Arakanit në rajonet neutrale

Ndërsa në anën tjetër autoritetet e Bangladeshit kanë njoftuar se ka arritur në 20 mijë numri i muslimanëve të Arakanit të cilët janë në pritje në rajonin neutral, në kufirin Mianmar-Bangladesh.

Një zyrtar i lartë i rojeve kufitare të Bangladeshit, Ikbal Ahmed, ka bërë të ditur se natën e mbrëmshme nëpërmjet lumit Naf në rajonin neutral Anjumanpara kanë mbërritur 3 mijë muslimanë të Arakanit nga të cilët shumica e tyre gra dhe fëmijë. Ahmed ka shtuar më tej se edhe 17 mijë muslimanë të Arakanit vazhdojnë pritjen në rajonin neutral Medi.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon.

Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar më shumë se 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve. Ndërkohë dhjetëra mijëra të tjerë janë në kërkim të rrugëve për tu larguar në Bangladesh.

Parashikohet se rreth 2 milionë muslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, por ky numër ka rënë nën 200 mijë për shkak të largimeve nga sulmet sistematike.


Exit mobile version