Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Omani: Irani pranon të mos grumbullojë uranium të pasuruar në bisedimet me...

Omani: Irani pranon të mos grumbullojë uranium të pasuruar në bisedimet me SHBA-në

Irani ka rënë dakord në bisedimet me Shtetet e Bashkuara që të mos grumbullojë uranium të pasuruar, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi. Ai e cilësoi këtë si një “përparim të madh”, që sipas tij mund të shmangë një përshkallëzim ushtarak mes Shtetet e Bashkuarave dhe Iranit.

Omani ndërmjetësoi takimet mes dy vendeve, të mbajtura në Gjenevë. Albusaidi deklaroi se të gjitha çështjet e marrëveshjes bërthamore mund të zgjidhen “në mënyrë miqësore dhe gjithëpërfshirëse” brenda tre muajve.

Sipas tij, marrëveshja parashikon që Irani jo vetëm të mos grumbullojë uranium të pasuruar, por edhe të ulë rezervat ekzistuese në nivelin më të ulët të mundshëm, duke i shndërruar ato në karburant bërthamor të pakthyeshëm. Ai theksoi se do të ketë mekanizma verifikimi për zbatimin e kësaj pike.

“Nëse nuk lejohet grumbullimi i materialit të pasuruar, atëherë nuk ka mundësi reale për prodhimin e një bombe bërthamore”, u shpreh Albusaidi në një intervistë për CBS.

Administrata e presidentit Donald Trump e ka akuzuar vazhdimisht Teheranin se synon të ndërtojë armë bërthamore. Ndërkohë, gjatë mandatit të parë, Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e negociuar nga ish-presidenti Barack Obama, dhe rivendosi sanksione ndaj Iranit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kërkuar që çdo marrëveshje e re të përfshijë jo vetëm programin bërthamor, por edhe programin raketor të Iranit. Lidhur me këtë çështje, ministri i Jashtëm i Omanit tha se beson që Irani është i hapur për të diskutuar “çdo temë”. /mesazhi

Exit mobile version