Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Opozita greke kërkon njohjen e shtetit të Palestinës

Opozita greke kërkon njohjen e shtetit të Palestinës

Partia kryesore opozitare greke SYRIZA njoftoi se po i bën presion qeverisë që të njohë shtetin e Palestinës, transmeton Anadolu.

“Ne duhet të marrim një leksion historie nga miqësia mes popullit grek dhe popullit palestinez, duke filluar me ish-kryeministrin Andreas Papandreu dhe ish-presidentin Yasser Arafat, dhe sot ta kthejmë atë në ballë të politikës sonë të jashtme. Sepse nëse jo tani, kur? Cila është koha më e mirë për të njohur përfundimisht shtetin palestinez, për të ndjekur shembullin e Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë?” tha kreu i partisë, Stefanos Kasselakis, duke folur për radion “Sto Kokkino”.

Duke folur për vizitën e tij në Bregun Perëndimor, gjatë së cilës ai u takua me zyrtarë të lartë palestinezë, si dhe me banorët, ai tha se iu prezantua një informim dhe pamje vizuale që tregonin shkatërrimin në Gaza nga Izraeli.

“Pra, ajo që supozohej të ishte e drejta e Izraelit për t’u vetëmbrojtur kundër Hamasit, tani është bërë një gjakderdhje, një masakër pa fund”, tha Kasselakis, duke shtuar se “bota perëndimore, Evropa, Greqia nuk mund të tolerojnë më atë që po ndodh në Gaza”.

“Evropa duhet të ketë një opinion. Ajo nuk mund të ndjekë shembullin e Amerikës në të gjitha negociatat e saj me Izraelin, Palestinën dhe vendet arabe. Evropa duhet të ketë një këndvështrim, dhe ai këndvështrim dhe aktivitet duhet të jetë në favor të paqes”, shtoi ai.

Izraeli ka vrarë më shumë se 36 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar, ku sipas Tel Avivit janë vrarë 1.200 persona.

Fushata ushtarake e ka kthyer pjesën më të madhe të enklavës me 2,3 milionë njerëz në gërmadha, duke lënë shumicën e civilëve të pastrehë dhe në rrezik nga uria.

Sulmet izraelite vazhdojnë pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që urdhëroi Izraelin të ndalonte ofensivën e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.

Exit mobile version