Ballina Lajmet Kosovë Opozita kërkon që demarkacioni të kthehet në pikën zero

Opozita kërkon që demarkacioni të kthehet në pikën zero

Qeveria e Kosovës, para miratimit të projektligjit për demarkacionin, ka shprehur gatishmërinë që të këshillohet edhe me partitë opozitare në vend, por pa e ndryshuar variantin që ka ofruar komisioni shtetëror.

Ndërkaq zyrtarë të partive opozitare, kanë thënë mund të ulën në bisedime me qeverinë vetëm nëse tërhiqet plotësisht varianti i tanishëm i projektligjit për demarkacionin.

Faton Abdullahu, këshilltari për media i kryeministrit të Kosovës, ka thënë për Indeksonline se ende nuk është paraparë ndonjë afat kohor për kthimin e këtij projektligji, sipas tij së pari do të harmonizohen qëndrimet edhe me subjektet tjera politike që të sqarohen paqartësitë dhe keqkuptimet sa i përket përmbajtjes së këtij projektligji.

Ndërkaq nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahemt Isufi ka thënë se nuk do të ketë kurrfarë diskutimi me qeverinë, nëse varianti i demarkacionit nuk kthehet në pikën zero.

“Jemi në gjendje që të ulemi dhe të diskutojmë me pozitën për projektligjin për demarkacionin por njëherë duhet të tërhiqet varianti që ka ofruar komisionit shtetëror, pastaj në bazë të ekspertizës dhe duke marrë parasysh angazhimin e gjithë faktorëve që i kanë parë gabimet. Pasi ky variant të konsiderohet i dështuar, atëherë duhet të formohet një komision nga ekspertet më eminent që i ka Kosova, duke u përkrahur nga partitë politike për të mbrojtur interesin territorial të Kosovës”, ka thënë Isufi për Indeksonline.

Ndërkaq dhe Bilall Sherifi nga NISMA, ka thënë për Indeksonline se sapo kuvendi ta rrëzojë këtë version të marrëveshjes do të hapej rruga për një proces të ri.

“Çështja e demarkacionit është një çështje e cila me një bashkëpunim të pozitës dhe opozitës mund të zgjidhet relativisht shpejt.

Sapo kuvendi ta rrëzojë këtë version të marrëveshjes do të hapej rruga për një proces të ri dhe kështu ky kusht më nuk do të ekzistonte sepse të gjithë do të kishin parasysh faktin se një proces i ri kërkon më shumë kohë”, ka thënë Sherifi.

Exit mobile version