Ballina Lajmet Kosovë Opozita sërish insiston në zgjedhje të jashtëzakonshme

Opozita sërish insiston në zgjedhje të jashtëzakonshme

Partitë opozitare kanë insistuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, ndonëse nuk janë tërësisht njëzëri për formën. Të hënën u mbajt mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ku përfaqësues të opozitës kërkuan shpërbërje të Kuvendit, por edhe dorëheqje të kryeministrit Albin Kurti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se kanë mbetur edhe dy ditë “në dritaren kushtetuese” për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, ose në të kundërtën sipas tij, Qeveria duhet ta çojë mandatin në fund.

Ai ka deklaruar të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se më së miri do të ishte sikur të shpërndahej Kuvendi dhe në shtator të këtij viti të zgjidhej qeveria e re.

“…Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit kanë mbetur edhe 2 ditë të dritares kushtetuese që vendit tonë t’i mundësohet që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor ose 7 korrik. Këto dy ditë do t’i japin një epilog, e do të presim deri në momentin e fundit, që vendi të shkojë më zgjedhje të jashtëzakonshme që vjeshta ose shtatori ta zë vendin tonë me një kryeministër të ri që e nxjerr Kosovën nga kriza”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, partitë politike kanë një reflektim për t’i mundësuar zgjedhjet e parakohshme nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit.

Shefi i GP të PDK-së ka shtuar se nëse nuk shkohet në zgjedhje të parakohshme, Kuvendi do të vazhdojë me punën

“Shpresojmë që në një të ardhme sa më të afërt vendi ynë të jetë anëtar i NATO-s me të drejta të plota”, shtoi ai.

E, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka thënë se dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti është zgjidhja e vetme e këtij procesi politik.

“Zgjidhjet pritet të shpallen jo më larg se data 15 shtator, por konsultimet me partitë politike duhet të vazhdojnë. Data e rregullt e zgjedhjeve është ndërmjet 15 janarit dhe 15 shkurtit 2025…jemi në kohë zgjedhjesh… nuk është çështja e afateve dhe ultimatumeve…”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti duhet të marrë përgjegjësi.

“Duhet të merret përgjegjësia politike për dështimet katërvjeçare në Kosovë, e përgjegjësia politike për dështimet katërvjeçare ka vetëm një emër, ai emër është Albin Kurti”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka shfrytëzuar takimin me krerët e PDK-së “për t’i negociuar kushtet e dorëzimit të tij”.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i dërgojë një përgjigje me shkrim për ta konfirmuar se zgjedhjet do të ndodhin atëherë kur të shkarkohet kjo qeveri apo kur të dorëhiqet kjo qeveri e dëmshme…Kapitullimi i kësaj Qeverie duhet të ndodhë me dorëheqjen e saj…Po ua bëj një pyetje të thjeshtë qytetarëve: a jeni duke jetuar më mirë tani? Jeta e qytetarëve është vështirësuar”, ka thënë Tahiri.

Deputeti i AAK-së ka bërë të ditur se kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, u ka bërë kërkesë vendeve aleate që ta ndihmojnë Kosovën për anëtarësim në NATO.

Exit mobile version