Ballina Lajmet Kosovë Organet e rendit: Situata është nën kontroll, nuk ka arsye për panik

Organet e rendit: Situata është nën kontroll, nuk ka arsye për panik

Organet e sigurisë në vend një ditë më parë kanë mbajtur takime lidhur me gjendjen e sigurisë, ndërsa pas këtyre aktiviteteve dhe deklaratave të ndryshme, qytetarët e Kosovës janë alarmuar për mundësinë e ndonjë sulmi terroristë.

Megjithatë zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe burime të sigurta të Telegrafit brenda institucioneve të sigurisë në vend, thonë se nuk ka arsye serioze për tu shqetësuar dhe për të bërë panik.

Sipas tyre, i tërë mobilizimi i policisë dhe institucioneve tjera bëhet për shkak të zhvillimeve në botë dhe rajon dhe masave preventive që merren në prag të festave.

Gjatë ditë së djeshme është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë në vend, e cila mbledhje sipas ligjit në fuqi duhet të mbahet çdo tre muaj. Kujtojmë se mbledhja e fundit ishte mbajtur më 13 janar të këtij viti.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në një prononcim për Telegrafin sqaroi se mbledhja e Këshillit të Sigurisë ka qenë mbledhje e rregullt dhe në përputhje me ligjin e Kosovës.

Ajo bëri të ditur se në mbledhje u diskutua për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë theksoi se qytetarët nuk kanë arsye për panik, e tëra është duke u bërë në kuadër të planifikimeve.

“Në çdo shtet kur ka festa të ndryshme përgatitet çdo institucion, po ashtu edhe policia për t’i mbrojtur qytetarët e saj. Ne duhet të jemi të siguruar dhe s’ka nevojë për panik, sepse nuk kemi marrë as paralajmërime e as kërcënime për ndonjë sulm terroristë. Kosova është shtet stabil dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nëpër festa ka qarkullim të shtuar të qytetarëve dhe siguria nga ana e policisë është shumë normal, edhe pse nuk më takon të përzihem në punët e policisë”, ka thënë Hoxha për Telegrafin.

Telegrafi ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani për të marrë informata lidhur me aktivitetet e shtuara të Policisë.

Kelani, në një prononcim për Telegrafin potencoi se Policia nuk ka asnjë paralajmërim ose kërcënim për ndonjë sulm terroristë.

I pyetur se pse ambasada Amerikane citon në njoftimin e saj “sulme terroriste”, ai tha: “Ambasada Amerikane ka njoftuar qytetarët e saj ashtu siç bën në çdo njoftim që lëshon nëpër festa të ndryshme. Nuk ka nevojë për panik”.

Por, burime të Telegrafit brenda institucioneve të sigurisë sqarojnë se përse janë disa aktivitete për rritjen e sigurisë në vend.

Sipas burimeve tona, ka indikator të jashtëm që janë të interesuar për destabilizim të rajonit.

Edhe pse vlerësohet se gjendja e sigurisë së Kosovës është stabile, organet e rendit duan të jenë në gjendje gatishmërie për çdo eventualitet.

Këto burime po ashtu thonë se nuk ka arsye për panik dhe shtimi i masave të sigurisë nuk është arsye për tu brengosur, por institucionet e sigurisë dëshirojnë të marrin masa preventive.

Exit mobile version