Ballina Lajmet Kosovë Osmani: Kosova e ka vendin në Interpol, Policia është shtyllë e sovranitetit

Osmani: Kosova e ka vendin në Interpol, Policia është shtyllë e sovranitetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në Interpol është domosdoshmëri, pasi aty e ka vendin Policia e Kosovës krahas forcave policore më profesionale në botë.

Këto komente ajo i bëri në ceremoninë kryesore të shënimit të 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Sipas Osmanit, historia e kësaj force është histori e guximit, përkushtimit dhe përballjes me sfida të mëdha.

“Polici i shërben vendit edhe kur vetë përballet me rrezikun. Kjo frazë e përshkruan më së miri sakrificën dhe misionin tuaj fisnik. Nga dita e parë e themelimit e deri sot, keni dëshmuar se nuk ka krizë apo kërcënim që e lëkund besimin tuaj ndaj Republikës”, tha Osmani.

Ajo vlerësoi lartë angazhimin e Policisë në periudha të ndjeshme, sidomos në veri të vendit, ku, sipas saj, është dëshmuar profesionalizëm dhe guxim në garantimin e sigurisë dhe rendit publik.

Presidentja shtoi se Policia e Kosovës është një nga shtyllat më të forta të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

“Pikërisht për këtë arsye, mbetet e domosdoshme që Kosova të bëhet pjesë e Interpolit dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, sepse aty e ka vendin Policia jonë”, u shpreh Osmani.

Exit mobile version