Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pas vendosjes së masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, kanë dërguar komentet e tyre.
Në një konferencë për media ajo ka deklaruar se “për një nënkryetar po synohet të bllokohet shteti”.
Ajo ka deklaruar se në komentet e dërguara kanë dokumentuar se funksionimi efektiv i institucioneve të vendit, është qenësor për ruajtjen e rendit kushtetues.
Ka thënë se bllokimi i konstituimit për shkak të moszgjedhjes së një kryetari, do ta cenonte seriozisht themelet që është ndërtuar Republika.
“Prandaj në kushtet ku bllokohet konstituimi i Kuvendit për një nënkryetar të vetëm përkundër faktit që Kryesia ka kuorum të mjaftueshëm dhe ka kryetar, dhe kur deputetët kanë kryer betimin, në ato momente pamundësohet përfaqësimi legjitim i qytetarëve në institucionin më të lartë përfaqësues edhe ushtrimi i sovranitetit”, ka thënë Osmani.
“Është vlerësim i yni që ushtrimi i kësaj të drejte nëpërmjet së cilës po pretendohet të bllokohet Kuvendi i Republikës cenon të drejtat e të gjithë deputetëve të tjerë dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Rrjedhimisht po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi”, ka shtuar ajo.
Presidnetja ka thënë se përderisa Kryesia ka kuorum nuk duhet të bllokohet Kuvendi. Një bllokim i tillë, ka vlerësuar Osmani, në të ardhmen do të krijonte precedent të rrezikshëm.
Presidentja ka thënë se vendi i nënkryetarit të Kuvendit nga komunitetit serb nuk do të merret nga askush, vetëm se do të plotësohet në një seancë tjetër.
Të premten e javës që shkoj Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Masa është vendosur në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Në fund të gushtit Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët.
Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit e kryetari i ri Dimal Basha e ka shpallur institucionin të konstituuar.
Pas këtij vendimi subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me vendimin e Bashës është shkelur Kushtetuta.
