Ballina Lajmet Kosovë Osmani pret delegacion ndërkombëtar ushtarak

Osmani pret delegacion ndërkombëtar ushtarak

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur një delegacion ndërkombëtar të përbërë nga gjeneralë, kolonelë dhe oficerë të lartë nga 16 shtete dhe mbi 30 akademi ushtarake nga Evropa, Amerika e Veriut, Azia, Afrika dhe rajone të tjera të botës.

Delegacioni po qëndron në Kosovë me rastin e Simpoziumit Ndërkombëtar të Akademive Ushtarake (ISOMA), i cili po mbahet për herë të parë në vendin tonë.

Sipas Osmanit, ky simpozium shënon një moment të rëndësishëm për Kosovën, duke reflektuar sukseset e Akademisë së Mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe duke dëshmuar rolin në rritje të Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Kjo ngjarje pasqyron jo vetëm arritjet e Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, por edhe angazhimin e Kosovës në ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit me aleatët tanë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Në fund, Presidentja ka shprehur krenarinë e saj për FSK-në dhe partneritetet ndërkombëtare që Kosova po ndërton në fushën e mbrojtjes.

“Krenare me FSK-në! Krenare me bashkëpunimin ushtarak me aleatët tanë”, ka përfunduar ajo

Exit mobile version