Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkuar në Mitrovicë të Jugut për të uruar kryetarin e ri të kësaj komune për marrjen e detyrës.
Osmani u prit nga zyrtarë të komunës së Mitrovicës së Jugut dhe kryetari, Faton Peci.
“Qytetarët e Mitrovicës meritojnë çdo të mirë, përkundër sfidave të iu hapet rruga e perspektivës. Gjeneratat e reja presin perspektivë. Duke e njohur punën e tij, dhe seriozitetin me të cilin e merr secilën punë, edhe në aspektin politik, do të bashkëpunojmë sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që ta ruajmë sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial, këto toka kanë qenë të shqiptarëve, e trashëgimia ilire është dëshmi më e madhe e kësaj”, tha ajo.
Edhe Faton Peci u shpreh i lumtur me vizitën e Osmanit.
“Në ditën e parë të fillimit të punës, ta kemi mysafire presidenten Vjosa Osmani, i uruam mirëseardhje në shtëpinë e saj. Diskutuam për të gjitha nevojat e shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës. Nevojën më të madhe të mbështetjes institucionalet që i duhet Mitrovicës nga Presidentja e Qeveria, nga ana e nivelit komunal kemi ambicie më të madhe t’i adresojmë si çështje. Tash Mitrovica e ka vëmendjen e të parës së vendit, dhe qeverisë në detyrë e kryeministrit Albin Kurti. Kemi diskutuar për të gjitha temat me interes publik për qytetin, prje çështjeve ambientale e deri te arkeologjike”, tha Peci.
Faton Peci u betua si kryetar i Mitrovicës së Jugut me 12 dhjetor aty ku pranoi zyrtarisht detyrën nga ish kryetari, Bedri Hamza.
