Pagani po i shtyn përsëri kufijtë me një tjetër seri ultra të kufizuar hipermakinash, që vetëm më të pasurit do të jenë në gjendje t’i përballojnë.
Këtë herë është një variant i modelit Codalunga, i cili është vetë një version i zgjeruar i modelit Huayra, transmeton Telegrafi.
E quajtur Codalunga Speedster, kjo makinë është një vepër e vërtetë arti mbi rrota, por edhe një makinë dukshëm e ndryshme nga modeli standard.

Po, ka një çati të fortë të lëvizshme, por ka edhe shumë detaje delikate, si në karroceri ashtu edhe poshtë saj. Pagani do të prodhojë vetëm 10 ekzemplarë, dhe secili do të jetë plotësisht unik.
“Huayra Codalunga Speedster është një kujtim për ata që e imagjinojnë makinën e tyre sportive si një ikonë të lehtësisë dhe lëvizjes, të formuar nga linja thelbësore që tejkalojnë kohën pa mundim”, thotë Horacio Pagani.
Legjenda pas markës e sheh këtë model si një homazh për “garuesit” e viteve të 50 dhe 60-ta.
Këto makina ende konsiderohen të përjetshme, jo vetëm sepse ishin të shpejta dhe të përparuara teknologjikisht, por edhe për shkak të bukurisë së tyre.
Codalunga Speedster është unike midis të gjitha modeleve në familjen Huayra.
Xhami i përparmë është më i ulët, ashtu si edhe xhamat anësorë, ndërsa dritat e përparme janë të integruara në karroceri në një mënyrë që nuk është parë kurrë më parë në një Pagani.
Çatia e fortë, e cila mund të hiqet, jep përshtypjen vizuale të pikave të shiut. Në pjesën e pasme, sistemi i shkarkimit tani ka gjashtë tuba shkarkimi në vend të katër të mëparshëm.
Dy janë të fshehura poshtë, ndërsa katër të tjerët mbeten në pozicionin standard në parakolp.
Edhe pjesa e brendshme është e veçantë. Sipërfaqet janë gjysmë-mat, për të evokuar estetikën e “garuesve” të vjetër. Në vend të karbonit dhe titanit tipik, përdoret dru mahagoni dhe alumin i punuar me dorë.
Edhe tapiceria është unike për këtë model, e frymëzuar nga trendet bashkëkohore të dizajnit dhe forma e shkarkimit të Pagani-t.
Ky nuk është vetëm një përmirësim estetik i Huayra-s, e cila u prezantua për herë të parë në vitin 2011.
Në Codalunga Speedster, shasia monokoke është krejtësisht e re. Ekzistojnë gjithashtu tuba të fshehura të marrjes së ajrit, difuzorë dhe karakteristika aerodinamike që përmirësojnë koeficientin e rezistencës.
Nën kapakun e pasmë është motori i famshëm AMG V12, i njëjti që u testua vitin e kaluar në versionin Codalunga coupé.
Në Speedster, ai zhvillon 864 kuaj-fuqi dhe fuqia transmetohet në rrotat e pasme nëpërmjet një kutie shpejtësie me shtatë shpejtësi.
Frenat e mëdha Brembo janë përgjegjëse për ndalimin, ndërsa gomat Pirelli Trofeo R sigurojnë kapje.
Pagani pretendon se Speedster mund të arrijë një shpejtësi maksimale të kufizuar elektronikisht prej 350 km/orë – me kusht që, sigurisht, të drejtohet në një pistë ose në autobahn gjerman.
Nëse e gjithë kjo nuk është mjaftueshëm ekskluzive për ju, Pagani ofron diçka edhe më shumë – Grandi Complicazioni (komplikime të mëdha, një term nga bota e prodhimit të orëve), një departament i veçantë për personalizimin e mëtejshëm të makinave tashmë unike.
“Këto shembuj kërkojnë zgjuarsi të jashtëzakonshme dhe përkushtim absolut: kohë, vëmendje dhe ekspertizë. Vetëm disa zejtarë në botë kanë aftësitë për t’i krijuar ato, shpesh në seri jashtëzakonisht të kufizuara, ndonjëherë si një copë unike”, thotë kompania.
Mendojeni si përgjigjen e Pagani-t për Ferrari Tailor Made ose Lamborghini Ad Personam, por me kufij shumë më të gjerë.
“Nuk ka kufizime kur bëhet fjalë për personalizimin: koncepte, forma, materiale, ngjyra, përfundime. I vetmi limit është imagjinata e atyre që ëndërrojnë një makinë vërtet unike”, shtoi ai.