Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pakistan – Imran Khan: Marrëdhëniet me Kinën do të forcohen më tej

Pakistan – Imran Khan: Marrëdhëniet me Kinën do të forcohen më tej

Imran Khan, i cili mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore – Pekin 2022 që po organizohen në Kinë, deklaroi gjatë një interviste për gazetën “Global Times” se populli pakistanez dhe ai kinez kanë një marrëdhënie të veçantë ndërmjet tyre.

“Një marrëdhënie mes popujve do të thotë që marrëdhënia do të vazhdojë edhe nëse qeveritë vijnë e shkojnë. Ajo e Kinës dhe Pakistanit është një marrëdhënie 70-vjeçare e aftë të përshtatet me çdo situatë”, u shpreh ai.

Duke theksuar se marrëdhëniet Kinë-Pakistan do të konsolidohen edhe më tej në të ardhmen, shefi i Islamabadit zyrtar sqaroi se kjo do të realizohet falë Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan (CPEC), i cili është pjesë e nismës së Presidentit kinez, Xi Jinping: “Një brez, një rrugë”.

Khani nënvizoi se CPEC-ja jo vetëm që do të lidhë dy vendet, por gjithashtu do të kontribuojë në zhvillimin e bashkëpunimit, industrializimit, bujqësisë dhe turizmit.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve do të bëhen gjithnjë e më të ngushta dhe më të forta në të ardhmen”, shtoi kryeqeveritari pakistanez.

Pasi vuri në pah se presin mbështetjen e Kinës në rritjen e produktivitetit, sidomos në bujqësi, Khani i ftoi kompanitë kineze që të bëjnë investime teknologjike në vendin e tij.

Ndër të tjera, kryeministri pakistanez vlerësoi si magjepsëse disiplinën e Kinës në luftimin e llojit të ri të koronavirusit (COVID-19).

“Teksa në Evropë dhe në vende të tilla si Shtetet e Bashkuara të Amerikës po organizohet demonstrata kundër kufizimeve (antiCOVID), në Kinë populli u vetëdisiplinua, sepse ka besim tek qeveria”, potencoi Khani. /trt

Exit mobile version