Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pakistan, përleshje mes policisë dhe mbështetësve të ish-kryeministrit Imran Khan

Pakistan, përleshje mes policisë dhe mbështetësve të ish-kryeministrit Imran Khan

Në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, janë shënuar përleshje jashtë gjykatës mes policisë dhe mbështetësve të ish-kryeministrit Imran Khan, transmeton Anadolu.

Sipas mediave pakistaneze, jashtë gjykatës janë shënuar përleshje mes policisë dhe mbështetësve të ish-kryeministrit Imran Khan të cilët erdhën në Islamabad nga Lahore për të marrë pjesë në gjykim.

Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome ndaj mbështetësve të Partisë së Lëvizjes për Drejtësi të Pakistanit (Pakistan Tehreek-e-Insaf – PTI) të cilët hodhën gurë dhe shkopinj drejt policisë.

Si pasojë janë arrestuar shumë persona, përfshirë edhe drejtuesin e lartë të PTI-së, Shibli Faraz. Pas incidenteve autokolona e Khan-it u vonua për gjykimin.

Gjyqtari i gjykatës, Zafar Iqbal ka bërë të ditur se do të presë pjesëmarrjen e Khan-it në gjykatë. Ndërsa Khan ka pretenduar se në gjykatë ka mbërritur më parë por që nuk është lejuar të hyjë.

– Khan u nis këtë mëngjes nga Lahore

Khan u nis këtë mëngjes nga banesa e tij në Lahore drejt Islamabadit për të marrë pjesë në gjykim. Ndaj Khan-it i cili nuk merr pjesë në gjykimet ndaj tij, më 13 mars u dhanë dy vendime për arrestimin e tij.

Mes forcave të policisë dhe mbështetësve të PTI-së u shënuan përleshje gjatë operacionit që filloi më 14 mars për të arrestuar Khan-in. Njësitë policore dhe paramilitare nuk mundën të arrestonin ish-kryeministrin. Në ngjarje u plagosën mbi 60 policë dhe mbi 15 protestues u arrestuan.

Gjykata e Lartë e Islamabadit pezulloi dje vendimin për arrestimin e Khan-it i cili kishte deklaruar se do të merrte pjesë në gjykim.

Kundër ish-kryeministrit Imran Khan janë ngritur 94 gjykime.

– Qeveria e Imran Khan-it u rrëzua në prill 2022

Në votëbesimin parlamentar në Pakistan të mbajtur më 10 prill 2022, qeveria e Imran Khan-it ra me 174 vota “kundër”.

Shahbaz Sharif, vëllai i Nawaz Sharif, i cili shërbeu si kryeministër për tre mandate në vend, u zgjodh kryeministër me mbështetjen e shumicës absolute me 174 vota në votimin e mbajtur në Parlament më 11 prill 2022.

Exit mobile version