Numri i të vdekurve nga shpërthimi në një vend fetar në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, është rritur në 31, thanë autoritetet, transmeton Anadolu.
Shpërthimi goditi një “Imambargah”, një vend kulti për myslimanët shiitë, i vendosur në zonën “Shehzad Town” të Islamabadit.
Në një deklaratë të administratës së rrethit të Islamabadit në rrjetin social amerikan X, e cila më vonë u fshi, u konfirmua për herë të fundit se numri i të vdekurve ishte 31, ndërsa 169 të tjerë janë plagosur. Kjo shifër është cituar gjithashtu nga disa media lokale.
Më herët, administrata e rrethit tha se është shpallur emergjencë në spitale ndërsa filluan operacionet e shpëtimit, dhe zona e shpërthimit është mbyllur plotësisht.
Pamjet tregojnë shumë njerëz të shtrirë në tokë pas shpërthimit.
“Geo News” raportoi se një sulmues vetëvrasës shpërtheu ndërsa po ndalohej te porta e vendit fetar në periferi të kryeqytetit federal.
