Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përkujtoi në përvjetorin e tretë të katastrofës, ata që humbën jetën në tërmetet e 6 shkurtit 2023 në Turqinë jugore, duke thënë se qeveria e ka mbajtur premtimin e saj për të rindërtuar qytetet e shkatërruara brenda një kohe të shkurtër, transmeton Anadolu.
Erdogan përkujtoi viktimat e dy tërmeteve që goditën 11 provinca tre vjet më parë, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të shtetit për të ruajtur kujtimin e tyre dhe për të rivendërtuar rajonet e prekura.
“Ne nuk do t’i harrojmë vëllezërit dhe motrat tona që gjetën mëshirën e të Gjithëmëshirshmit për shkak të dy tërmeteve të mëdha që përjetuam tre vjet më parë sot”, shkroi Erdogan në platformën turke të mediave sociale NSosyal.
“Ne i premtuam kombit tonë se do t’i mbajmë gjithmonë gjallë kujtimet e tyre në zemrat dhe mendjet tona, do të mbrojmë atë që na besuan dhe do t’i ngremë në këmbë qytetet tona që u shkatërruan nga tërmeti. Sot, me lejen e Allahut, ne e kemi kapërcyer këtë sfidë dhe kemi rindërtuar dhe ringjallur qytetet tona në një kohë shumë të shkurtër, vetëm tre vjet. Ne e mbajtëm fjalën tonë”, theksoi ai.
Postimi i Erdoganit përfshin gjithashtu një video që tregon shkallën e shkatërrimit të shkaktuar nga tërmetet dhe përpjekjet e mëvonshme të rindërtimit të kryera në të gjithë rajonin.
Tërmetet e 6 shkurtit 2023, me epiqendër në provincën jugore të Kahramanmarasit, shkaktuan shkatërrime të mëdha në disa provinca në jug të Turqisë, duke rezultuar në dhjetëra mijëra viktima dhe dëme të mëdha në infrastrukturë dhe banesa.
Presidenti gjithashtu sot do të marrë pjesë në aktivitetet përkujtimore për viktimat e tërmeteve.
