Ballina Lajmet “Palestinezët i pret një periudhë e vështirë”

“Palestinezët i pret një periudhë e vështirë”

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në deklaratën e tij në lidhje me problemet mes Izraelit dhe Palestinës, ka thënë se zgjidhja është e hapur edhe për alternativa të tjera përveç zgjidhjes me dy shtete. Ekspertët të cilët kanë bërë vlerësime mbi këtë deklaratë, shprehen se me këto fjalë, presidenti haptas anon në drejtim të Izraelit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Këta ekspertë kanë nënvizuar se në kundërshtim me qëndrimin pro-Izraelit të SHBA-ve, supozohet që Evropa do të luajë një rol balancues. Gjithashtu kanë theksuar se ekziston mundësia që për palestinezët të ketë në vazhdim një periudhë të vështirë.

Drejtori i Institutit për Lindjen e Mesme pranë Universitetit të Sakaryas në Turqi, Prof. Dr. Kemal İnat, për AA u shpreh se në krahasim me paraardhësin e tij, prej kohësh ishte e qartë se presidenti i ri amerikan do të ketë qëndrim pro-Izraelit. Duke iu referuar deklaratës së Trumpit, İnat vlerësoi se “Ekziston mundësia që palestinezët të kenë një periudhë edhe më të vështirë”.

Duke rikujtuar se qasja e Perëndimit në përgjithësi ndryshon sipas këndvështrimeve politike të presidentëve amerikanë, İnat gjithashtu tha se në varësi se çfarë forme do të kenë marrëdhëniet e Evropës me Amerikën, mund të flitet për veprim të evropianëve në drejtim të balancimit të politikës pro-Izraelit të SHBA-ve.

“Për arsye të ndryshme, në Perëndim mbizotëron qëndrimi pro-izraelit, mirëpo politikanët racionalë llogarisin edhe faktin se; nëse mbajnë një qëndrim ekstrem pro-Izraelit, kjo mund të shkaktojë probleme serioze me arabët dhe me botën islame. Për këtë arsye, është e mundshme shfaqja e veprimeve që do të balancojnë qëndrimet e presidentit amerikan.

“Zhvillimi i kësaj çështjeje do të përcaktohet në varësi nga ajo se sa do të dalin në skenë aktorë balancues dhe racionalë. Në fakt, vetëm se e kemi shenjën e parë për këtë. Edhe pse Trump, para se të vijë në pushtet, në mënyrë të qartë ka thënë se kryeqyteti duhet të zhvendoset prej Tel Avivit në Jerusalem, ndërsa tani ai ka filluar të japë pak hapësirë në fjalët e tij. Këtu mund të kenë ndikuar fjalët e atyre që thonin se nëse jepet më shumë peshë në qëndrimin pro-izraelit, do të ketë probleme në marrëdhëniet me botën islame”, tha İnat.

“Një ndryshim i rëndësishëm në krahasim me periudhën Obama”

Anëtari i stafit akademik në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit Ahi Evran, Doc. Dr. Serhat Erkmen, njëherësh kryetari i Tryezës për Lindjen e Mesme dhe Afrikën pranë Institutit Turqia e Shekullit 21, theksoi se gjithkush e percepton presidentin Trump sipas dëshirës së vet, ku njëra palë komenton se SHBA-të kanë hequr dorë nga zgjidhja me dy shtete, ndërsa pala tjetër komenton se SHBA-të mbështesin procesin për paqe.

Erkmen nënvizoi se deklarata e Trump i cili thotë se “Unë e pranoj çdo zgjidhje me të cilën do të jenë të lumtur edhe Izraeli edhe Palestina”, është një ndryshim i madh në krahasim me përudhën kur Obama ishte president i SHBA-ve. Ai rikujtoi se Obama ka bërë “shtypje me fjalë”, duke theksuar sidomos në kohët e fundit se duhet të ketë zgjidhje me dy shtete me kushte të drejta dhe se Izraeli duhet të ndalojë ndërtimin e vendbanimeve ilegale hebreje në territoret e Palestinës.

Serhat Erkmen thekson se fjalët e Trump mund të shqyrtohen nën tre tituj. Sipas tij, qasja e parë është “të ketë paqe pa marrë parasysh se si do të jetë ajo”, ndërsa titulli i dytë është thirrja për paqe ndaj shteteve arabe. “Bëhet fjalë për një ndryshim në mbështetjen e Izraelit në krahasim me periudhën e Obamës. Por, nuk është as mbështetja 100 për qind të cilën e kërkon qeveria e Netanyahut. Kjo do të thotë që shigjeta, në mënyrë të hapur është më shumë në drejtim të Izraelit sesa të Palestinës, por nuk ka arritur në pikën përfundimtare”, tha Erkmen.

“Vërehet se do të punojnë mbi zgjidhjen e propozuar nga Sisi”

Edhe anëtari i stafit akademik në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit të Stambollit, Ahmet Uysal, tha se nga fjalët e Trump vërehet se ai do të shkojë shumë më para në drejtim të mbështetjes ndaj Izraelit.

Uysal u shpreh se kuptohet që qeveria amerikane do ta shqyrtojë zgjidhjen e propozuar nga qeveria e Sisit në Egjipt. “Do të jepet vend nga rrethina e Gazës dhe nga Gadishulli i Sinait dhe këtu do të ndërtohet shteti i Palestinës. Ndërkaq, lidhur me Jerusalemin dhe Bregun Perëndimor, do të mendojnë për një formulë ku do të mbizotërojë fjala e Izraelit. Sisi e bën këtë që të mos cenohet në Egjipt,” theksoi Uysal.

Sipas tij, edhe pse realizimi i zgjidhjes së propozuar nga Egjipti nuk është i lehtë, gjithsesi është një ndër skenarët për të cilët flitet tani. “Kjo është zgjidhja të cilën Izraeli e dëshiron dhe Trump e mbështet, por bota ngrihet në këmbë”, theksoi ai.

Ndryshe, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, Trump ishte shprehur se “Të dy zgjidhjet (dy shtete ose një shtet) janë të mundshme. Mendoja se zgjidhja me dy shtete do të ishte më e mirë, por, nëse Izraeli dhe Palestina do të ishin të lumtur, unë do të pajtohesha me çfarëdo preference të tyre”.

Trump ka theksuar rëndësinë e rezultatit i cili do të dalë nga negociatat mes Izraelit dhe Palestinës, dhe se në mënyrë “shumë sensitive” punojnë për paqe në Lindjen Mesme, duke shtuar se të dyja palët duhet të bëjnë kompromise. “Prioritet do të ketë marrëveshja e Izraelit dhe Palestinës mes tyre,” ka thënë Trump, i cili nuk ka dhënë informacione të mëtejshme në lidhje me atë se çfarë do të përmbajnë ato kompromise.

Exit mobile version