Ballina Lajmet Palestinezja e qëlluar nga ushtarët izraelitë shërohet në Turqi

Palestinezja e qëlluar nga ushtarët izraelitë shërohet në Turqi

Gjashtëmbëdhjetë vjeçarja palestineze Meryem Abu-Matar është falendëruese ndaj Turqisë, pasi ka marrë përsipër ta shërojë atë pas plagosjes nga ana e ushtarëve izraelitë.

Vajza palestineze, e cila u qëllua nga ushtarët gjatë protestave anti-okupatore në Rripin e Gazës, është vetëm një nga dhjetëra njerëz që janë duke u trajtuar në Turqi me mbështetjen e qeverisë dhe agjencive humanitare, siç është fondacioni humanitar IHH.

“Nëse nuk do të vija në Turqi, këmba ime do të amputohej në Gaza për shkak të mungesave mjekësore”, tha ajo.

Meryem u qëllua në këmbën e majtë më 30 mars teksa po merrte pjesë në një tubim në Rripin e Gazës me motrën e saj 12-vjeçare.

“Isha në shënjestër (nga ushtarët izraelitë), pasi unë po mbaja një flamur palestinez në vijën e frontit dhe isha aktiviste aktive”, thotë Meryem.

Ajo u dërgua te mjekët për trajtim nga një demonstrues tjetër, i cili u qëllua për vdekje nga ushtarët izraelitë menjëherë pas kthimit në protestë.

“U trondita kur u qëllova në minutat e para”, tha Meryem, babai i së cilës ishte vrarë nga ushtarët izraelitë kur ajo ishte vetëm tri vjeçe.

“Po ndieja dhimbje në këmbën time, por edhe lumturi për mundësinë e të rënit dëshmore”, shtoi ajo.

Për Meryemen, plagosja nga ana e ushtarëve izraelitë nuk ishte diçka e papritur.

Krahas babait të saj, edhe disa nga të afërmit e saj janë vrarë nga ushtarët izraelitë gjatë dekadës së fundit.

Që prej fillimit të protestave në Gaza më 30 mars, më shumë se 150 protestues palestinezë janë martirizuar dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga trupat izraelite të vendosura përgjatë anës tjetër të zonës tampon.

Trajtimi

Meryem ndihet me fat në krahasim me shumë banorë të tjerë të Gazës që nuk kanë mundur të marrin trajtimin e duhur.

Nëpërmjet mbështetjes së IHH-së, ajo u soll në Stamboll në muajin prill.

“Siç e dini, kushtet shëndetësore janë shumë të kufizuara në Gaza”, tha nëna e saj, Nasreen Abu Matar.

“Ne kemi mjekë të mirë, por jo mjete të mjaftueshme për trajtim. Një mrekulli ishte e nevojshme për të rikthyer shëndetin e saj në Gaza”, shtoi ajo.

Rreth 35 persona që pësuan plagë në këmbë në të njëjtën protestë u detyruan t’i nënshtrohen amputimeve pasi nuk mund të merrnin trajtim të mjaftueshëm, theksoi nëna e Meryemes.

Meryem deri tani i është nënshtruar 43 fazave kirurgjike, njoftuan zyrtarët e IHH-së.

Kur ajo erdhi në Stamboll, gjendja e saj ishte kritike, tha nëna e saj. “Një nga venat në këmbën e saj ishte thuajse e prerë”, shtoi ajo.

Meryem tani mund të lëvizë me ndihmën e një pajisjeje ndihmëse. Pesë ditë më parë, ajo hodhi hapat e parë vetë.

“Nuk mund t’i përshkruaj ndjenjat e mia. Është përtej fjalëve. Isha shumë e lumtur kur hodha hapin e parë”, tha ajo.

Meryem pritet të lëvizë pa ndonjë mbështetje brenda një viti, njoftoi Dr. Mehmet Veli Karaaltin, kirurgu i saj, i cili e përshkroi plagën e saj si “të rëndë”.

“Falënderojmë Turqinë”

Meryem tha se ajo është e lumtur që gjendet në Turqi.

“Unë jam shumë mirë pasi jam këtu në Turqi, si psikologjikisht, ashtu edhe fizikisht. Procesi i trajtimit po shkon shumë mirë. Kam pasur një rikuperim të konsiderueshëm”, tha ajo.

Ëndrra e Meryemes është të studiojë në Turqi dhe të bëhet inxhiniere pasi të rimëkëmbet plotësisht.

“Kur të kthehem në Gaza, dua të bëj diçka të dobishme. Nuk dua të qaj kur të shkoj atje. Ajo që unë dua të bëj është të zhduk lotët e Gazës”, thotë Meryem.

Rripi i Gazës, ku banojnë gati dy milionë palestinezë, është duke vuajtur nga një bllokadë e Izraelit që nga viti 2007.

Palestinezët kërkojnë fundin e bllokadës 11-vjeçare të Izraelit në Rripin e Gazës, i cili ka shkatërruar ekonominë e kësaj enklave bregdetare dhe ka privuar banorët e saj nga shumë artikuj themelorë.

Meryem shprehu falënderime në gjuhën turke.

“Unë e dua Turqinë. Faleminderit, Turqi dhe IHH”, tha ajo në turqishte.

Meryem gjithashtu ka një dëshirë tjetër, të takojë presidentin Recep Tayyip Erdoğan, të cilin e sheh si një udhëheqës të rëndësishëm të Lindjes së Mesme.

Exit mobile version