Ballina Lajmet Kosovë Palmer dhe Lajçak pas takimeve me Osmanin dhe Kurtin sot mbajnë konferencë...

Palmer dhe Lajçak pas takimeve me Osmanin dhe Kurtin sot mbajnë konferencë për media

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot do të mbajnë një konferencë për media.

Konferenca mbahet në orën 10:40 në Zyrat e BE-së.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë i ka quajtur konstruktive takimet e zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit Matthew Palmer me drejtuesit e shtetit të Kosovës dhe emisarin special evropian për dialogun Miroslav Lajçak.

“Dita 1: Zëvendësndihmës Sekretari Matthew Palmer zhvilloi takime konstruktive me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajcak, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendës kryeministrin Besnik Bislimi dhe ministren e Punëve të Jashtme Donika Gervalla-Schwarz”, shkruan Ambasada amerikane në Facebook.

Lajçak dhe Palmer ndodhen për vizitë disaditore në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se procesi i dialogut në Bruksel duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo gjatë takimit me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka ripërsëritur qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi sot se bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e ri të dialogut është i mirëseardhur dhe i domosdoshëm.

Ai gjatë një takimi me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer, ka thënë se dialogu duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme.

Kurti e vlerësoi të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai – në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar në mesin e qershorit, pas takimeve me liderët e opozitës dhe para diskutimit në Kuvend për procesin e kaluar të dialogut, marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nivelin e zbatimit të tyre.

Exit mobile version