Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Panik në Kinë, tajfuni i fuqishëm pritet të godasë vendin

Panik në Kinë, tajfuni i fuqishëm pritet të godasë vendin

Një tajfun me emrin “Lekima” ka detyruar shtetet e Kinës, Tajvanit dhe Japonisë të rritin nivelin e gatishmërisë. Si pasojë janë anuluar qindra fluturime dhe banorët e zonave që do të përshkohen nga cikloni i fuqishëm janë urdhëruar të mbrohen nga pasojat katastrofike.

Kina i ka bërë thirrje popullsisë për gatishmëri të lartë pasi një ciklon tropikal me fuqi të madhe shkatërruese mund të godasë vendin të shtunën.

Tajfuni me emrin “Lekima” po avancon drejt provincës lindore të Zhejiangut dhe në rajonin e Tajvanit, dhe ka detyruar anulimin e mbi 300 fluturimeve.

Sipas qendrës meteorologjike kombëtare, cikloni është nga më të fortët e regjistruar në 5 vitet e fundit.

Ai pritet të sjellë me vete rreth 900 milimetra reshje në zonat malore.

Kjo do të rritë rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut edhe pas një tërmeti që shkundi vendin një ditë më parë.

Prej së enjtes, ishulli i Tajvanit ka urdhëruar mbylljen e të gjitha institucioneve të arsimit dhe dyqaneve, dhe u ka prerë energjinë elektrike mbi 40 mijë familjeve.

Ndërsa trenat dhe anijet për pasagjerë janë urdhëruar të shtyjnë lundrimet dhe udhëtimet për në Shangai.

Në alarm është edhe shteti i Japonisë, ku autoritetet kanë paralajmëruar një katastrofë natyrore javën e ardhshme.

Kina përjeton shpesh pasojat e cikloneve tropikale në muajt e nxehtë të verës.

Tajfuni i fundit më i fortë goditi vendin shtatorin e kaluar, duke vranë të paktën 54 persona dhe duke detyruar evakumin e milionave banorëve në zonat përreth.

/Ora News

Exit mobile version