Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Papa bën thirrje për dialog për Iranin dhe Sirinë, kërkon përpjekje të...

Papa bën thirrje për dialog për Iranin dhe Sirinë, kërkon përpjekje të shtuara për paqe në Ukrainë

Papa Leoni ka bërë thirrje për dialog lidhur me zhvillimet në Iran dhe Siri, si dhe ka këruar intensifikim të përpjekjeve për arritjen e paqes në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Duke kryer lutjen tradicionale të së dielës nga dritarja me pamje nga Bazilika e Shën Pjetrit, Papa më pas foli për zhvillimet ndërkombëtare.

Papa Leoni tha se ka reflektuar mbi ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Iran dhe Siri.

Ai deklaroi se “tensionet e vazhdueshme po shkaktojnë vdekjen e shumë njerëzve” dhe shprehu shpresën që “dialogu dhe paqja të kultivohen me durim, në kërkim të pikave të përbashkëta”.

Duke iu referuar luftës Rusi-Ukrainë, Papa tha se sulmet e fundit janë “veçanërisht serioze, duke goditur kryesisht infrastrukturën energjetike, ndërsa i ftohti po shtohet dhe po godet rëndë popullsinë civile”.

“Lutem për ata që po vuajnë dhe e rinovoj thirrjen time për t’i dhënë fund dhunës dhe për të shtuar përpjekjet për arritjen e paqes”, tha Papa.

Irani është tronditur nga protesta që nga 28 dhjetori në Pazarin e Madh të Teheranit, për shkak të rënies së ndjeshme të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më pas u përhapën në disa qytete.

Nuk ka vlerësime zyrtare për viktimat, por organizata amerikane për të drejtat e njeriut HRANA e ka raportuar numrin e të vdekurve në 116, me mbi 2.600 persona të ndaluar.

Në Siri, që nga e marta, grupi terrorist YPG/SDF ka granatuar lagje banimi, objekte civile dhe pozicione të Ushtrisë Siriane në Halep, duke vrarë 23 persona, duke plagosur më shumë se 100 dhe duke zhvendosur rreth 165 mijë banorë nga zonat Ashrafieh dhe Sheikh Maqsoud.

Exit mobile version